Trajneri i “Pancerave” Julian Nagelsman ka emëruar skuadrën e tij për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kombeve të Gjermanisë me Italinë. Veçanërisht, Jan Bisek i Interit është përfshirë në skuadër për herë të parë, ndërsa mesfushori i Mainc, Nadiem Amiri është rikthyer në kombëtare që nga viti 2020.
Sulmuesi i Borusia Dortmundit, Karim Adejemi dhe mesfushori i Bajern Mynih, Leon Gorecka gjithashtu janë rikthyer në grup. Gjermania udhëton në Itali për ndeshjen e parë më 20 mars, ndërsa takimi i kthimit do të zhvillohet në Gjermani tre ditë më vonë.
Në listë nuk është Manuel Nojer, shkak problemet fizike, një mungese e madhe në portën e Gjermanisë, kurse nuk ka një shpjegim për Gnabrin. Interesante është se në listën e përzgjedhur si rrallë herë më parë ka më shumë lojtar të Shtutgartit, sesa nga Bajern Mynih apo Borusia Dortmund.
NAGELSMAN – “Megjithëse duhet të përballojmë disa mungesa, në përgjithësi kemi një skuadër shumë të mirë. Ne i zgjodhëm këta lojtarë me bindje dhe u përpoqëm ta zëvendësojmë mungesën e cilësisë. Me lojtarë që janë të etur për të luajtur. Çerekfinalja kundër Italisë është shumë e rëndësishme për ne. Këto janë dy ndeshje që duhet dhe duam absolutisht t’i luajmë pozitivisht”. “Pancerat” nuk e kanë fituar asnjëherë Ligën e Kombeve, ndonëse ka pak kohë që kompeticion që është integruar në rangun e kombëtareve.
PANORAMASPORT.AL