Liverpuli dhe Arne Slot nuk ka një shans më të mirë për të harruar zhgënjimin në Ligën e Kampioneve, sesa një finale në “Uembli”, që luan trofeun e Kupës Karabao kundër Njukasëllit sot, në orën 17:30.Kjo do të jetë vizita e parë e holandezit në stadiumin legjendar të Anglisë, të cilën ai e vlerëson si një shans ideal për lojtarët e tij pas eliminimit me penallti nga PSG.
“E presim me padurim. Jo vetëm sepse është një finale, jo vetëm sepse e luajmë me Liverpulin, por edhe sepse është në ‘Uembli’. Është një stadium ikonik për anglezët, por edhe për holandezët. Pra, është një rast i mrekullueshëm për t’u rikthyer. Dhe veçanërisht pas humbjes kundër PSG-së, ne me të vërtetë mezi presim që të luajmë këtë finale përballë një tjetër ekipi shumë të mirë dhe të mirëmenaxhuar nga Edi Hau”, tha trajneri.
“Kjo është ndeshja perfekte, edhe për faktin se luhet një trofe. Ne nuk jemi më në Kupën FA dhe në Champions për fat të keq, kështu që tani kemi vetëm dy trofe për të fituar. Mendoj se në përgjithësi Premier Liga është më e vështira për t’u fituar nga të gjitha, sepse janë 38 ndeshje dhe duhet të bësh shumë gjëra mirë. Kupat, madje edhe Liga e Kampioneve, edhe pse luhen në dy ndeshje, janë më të lehta për t’u fituar, por përsëri shumë të vështira! Por tani jemi në finale dhe kemi një shans për të fituar trofeun tonë të parë”.
Liverpuli është kampioni në fuqi i Kupës Karabao, por Slot nuk e pa finalen e vitit të shkuar kundër Çelsit.
“Jo, sepse Fejnordi luajti atë ditë. Por unë mendoj se ndeshja u luajt pak më vonë se kur luajtëm ne, kështu që ndoshta kam parë pjesët e fundit të finales ose kam parë disa momente kyçe. Mbaj mend që i dërgova mesazhe Lijndersit, pasi e dija se sa shumë e rëndësishme është Akademia dhe është akoma për të dhe për të gjithë klubin. Ishte një moment i madh që të gjithë këta lojtarë të Akademisë ishin në fushë duke fituar një finale”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL