Java e 30-të e Abissnet Superiore u mbyll me katër barazime në pesë ndeshje. Fitoren e vetme e arriti Skënderbeu, që ka rritur shumë shpresat për mbijetesë, pasi gjithë rivalët e tjerë barazuan. Numër i ulët golash, vetëm shtatë, me dy ndeshje të mbyllura me rrjeta të paprekura.
Skënderbeu ishte fituesi i vetëm në javën e 30-të të Abissnet Superiore, me suksesin 2-1 në Shkodër kundër Vllaznisë, çka e ndihmoi skuadrën korçare të barazohet me Teutën në renditje e të shtojë shpresat për mbijetesë. Katër nga pesë ndeshjet e javës u mbyllën në barazim dhe dy prej tyre ishin me rrjeta të paprekura.
Vetëm shtatë gola të shënuar, me mesataren 1.4 gola për ndeshje. Fitorja e korçarëve solli barazimin në pikë me Teutën dhe ngushtimin e diferencës me gjithë rivalët e tjerë, të cilët barazuan. Tirana arriti të merrte një pikë në Rrogozhinë kundër Egnatias, me barazimin 1-1, të fiksuar që në pjesën e parë.
Për kampionët shënoi Sota në minutën e 37-të, ndërsa bardheblutë u përgjigj Soler, në minutën e katërt shtesë. Bylis e Laçi nuk shënuan asnjë gol në portat e njëri-tjetrit, çka i hoqi secilës skuadër mundësinë e shkëputjes nga zona e ftohtë.
Laçi ka 33 pikë, ndërsa Bylis 32, vetëm dy pikë më tepër se Teuta që mban vendin e fundit me 30, po aq sa Skënderbeu. Durrsakët barazuan gjithashtu pa gola në Tiranë, kundër Partizanit. Pika e vetme i zbriti një pozicion, megjithatë rivalët janë në distanca të arritshme.
Elbasani arriti të merrte një pikë kundër Dinamos, pas tri humbjeve të mëparshme, të gjitha në “Elbasan Arena”. Në javët e fundit Elbasani shpresoi për të arritur Partizanin në vendin e katërt, por tani, me 37 pikë, verdheblutë janë më afër Tiranë në vendin e tetë se sa të kuqve, që kanë 44. Dinamos mbetet sërish e dyta, por tani me një pikë më tepër se Vllaznia, në vendin e tretë.