Tiago Mota nuk po kalon momentin më të lumtur të karrierës së tije, edhe pse në fakt do të duhej të ishte i tillë pasi i është besuar një prej klubeve të mëdha europiane, siç mund të cilësohet Juventusi. Dy humbjet radhazi kanë tronditur pozitat e tij dhe ndonëse klubi e ka konfirmuar në detyrë, tani pret përgjigje prej tij.
Ditën pas humbjes me Fiorentinën, pikërisht trajneri dhe drejtuesit e klubit janë takuar në orarin e drekës. Një mbledhje e zakonshme në ambientet e klubit për ditët pas ndeshjeve, por që ka zgjatur më shumë, sipas mediave italiane.
“La Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se gjatë kësaj mbledhje, Tiago Mota ka shpjeguar arsyet e disa zgjedhjeve teknike që ka bërë në ndeshjet e fundit, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse të skuadrës e cila është shpartalluar duke pësuar 5 gola nga Atalanta e 3 nga Fiorentina, ndërsa ishte mbrojtja më e mirë e kampionatit para këtij kolapsi të dyfishtë.
Motës i është bërë e qartë se klubi ka ende besim te ai, por duhet të fillojë të tregojë menjëherë një kthesë në aspektin e rezultateve që ta çojnë në katërshen e parë, por edhe të lojës që duket se po mungon. Çdo skenar i të ardhmes te Juventusi do të varet pikërisht nga paraqitjet në pjesën e mbetur të sezonit, duke qenë edhe ai “në provë” po aq sa shumë lojtarë.
PANORAMASPORT.AL