Studimi ka disa javë që është hapur, por tani e tutje do ta drejtojë Xhorxho Furlani. Zgjedhja e drejtorit të ri sportiv do të ketë një peshë specifike themelore në planifikimin e sezonit të ardhshëm të Milanit dhe administratori kuqezi nuk po ngutet.Në ditët në vijim do të ketë diskutime me më shumë drejtues dhe gjithçka sugjeron se tymi i bardhë do të rrëshqasë deri në prill. Favoritët, për momentin, janë Igli Tare dhe Fabio Paratiçi, të bashkuar nga një përvojë e madhe në Itali, por të “ndarë” nga mënyra të ndryshme të punës. Operacionet që kanë kryer në karrierën e tyre, e konfirmojnë këtë fakt: ish-sulmuesi i Lacios, me burime të kufizuara financiare, ka vrarë mendjen dhe ka kërkuar (shpesh duke i gjetur) talente mes të rinjve, futbollistëve më pak të njohur apo profileve të gatshme për t’u ringritur.
FITIMET E SHQIPTARIT – Në 15 vitet e tij si drejtues i sektorit sportiv lacial, Tares i është dashur të shpikë në më shumë se një rast dhe shpesh të guxojë fort. Zgjedhjet e tij janë pritur me skepticizëm nga tifozët, por trajnerët e tij rrallë janë zhgënjyer. Xhevahiri më i vlefshëm që është pikasur nga shqiptari, mbetet Sergej Milinkoviç Saviç, “i peshkuar” nga Genti në 2015- tën. Serbi, i blerë 10 milionë, u shit në 2023 tek Al-Hilal për katërfishin e shumës. Në mes, 69 gola në 341 paraqitje për Lacion. I denjë për duartrokitje është edhe operacioni Çiro Immobile, i marrë për 9.4 milionë nga Sevilja, i cili me Lacion shënoi 207 gola dhe u largua verën e kaluar te Beshiktash, duke garantuar 3 milionë euro.
Po Luis Alberto? I kapur nga Liverpuli, i cili nuk besonte në të, ai shpërtheu, duke bërë 307 paraqitje, 52 gola dhe 79 asiste. Nënshkrimi i parë i vërtetë i Tares ishte Hernanes, i cili u shit tek Interi me një fitim të rëndësishëm. Klose mbërriti falas; Luiz Felipe u pagua 800 mijë euro. Fitimi më i madh i kapitalit (30 milionë), erdhi me shitjen e Felipe Andersonit tek Uest Hemi. Nga ana tjetër, Candreva, Hoedt dhe Korrea, sollën shumë para. Zakanji dhe Hila janë ende mes protagonistëve me Baronin në pankinë, teksa të vetmit që “zhgënjyen”, ishin Muriqi dhe Vavro, që vlerat e tyre po i tregojnë gjetkë.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL