Pas një debutimi që ishte dukshëm nën pritshmëritë në Australi, Ferrari kërkon kthesën e menjëhershme që këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Kinës, në një pistë në kontekst krejtësisht të ndryshëm nga ajo e Melburnit.
Për skuderinë nga Maranelo do të jetë si një thikë me dy tehe, në sensin që kjo garë mund të sjellë ringritjen, por nga ana tjetër një tjetër dështim si ai i Australisë mund të ndizte alarmin e kuq. Ajo që e komplikon edhe më tej skenarin është edhe prezenca e Sprinti të parë sezonal, i planifikuar për të shtunën më 22 mars.
Programi Sprint përfshin një seancë të vetme provash të lira të premten në orën 04:30 me orarin Shqipërisë, për të vijuar kualifikimet e Sprintit në orën 08:00. E shtuna do të vazhdojë me garën Sprint në orën 04:00, e pasuar më tej nga kualifikueset në orën 08:00. Më tej axhenda do të kompletohet mëngjesin e të dielës në orën 08:00 me Çmimin e Madh të Shangait, një gare me 56 xhiro, e barabartë me 305 kilometra. Me afrimin e fundjavës kineze, drejtori i ekipit të Ferrarit, Frederik Vasër, po reflekton mbi shanset e një ringjalljeje të menjëhershme për ekipin e tij.
“Jemi të lumtur që rikthehemi menjëherë në pistë, më pak se një javë pas Çmimit të Madh të Australisë, sepse gara e Shangait na jep mundësinë të kthejmë menjëherë faqen”, u shpreh fillimisht Vasër, teksa më tej drejtori i “kokëkuqes” shtoi:
“Pista kineze ka karakteristika krejtësisht të ndryshme nga ajo e ‘Albert Park’ në Melburn, ndërsa ky raund, falë fundjavës së parë Sprint të sezonit, ofron edhe më shumë pikë. Nga pikëpamja teknike, do të jetë e rëndësishme të kemi përgatitur mirë fundjavën në simulator në Maranelo, duke qenë se do të kemi vetëm 1 orë provash të lira në sipërfaqen krejtësisht të re të pistës. Si skuadër do të kujdesemi për çdo detaj të vogël për të maksimizuar potencialin e makinës tonë, duke i mbështetur dy pilotët tanë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi si Sharl, gjithashtu edhe Luis, e kanë pëlqyer gjithmonë këtë pistë”, deklaroi Vasër.
Për sa i përket paraqitjes së Ferrarit një vit më parë në Çmimin e Madh të Kinës, rezultatet nuk ishin të mira. Pilotët e “kokëkuqes” duhej të kënaqeshin me pjesën e poshtme të pesëshes së parë si në Sprint gjithashtu edhe në Çmimin e Madh, me Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz që u renditën përkatësisht në vend të katërt dhe të pestë, sit të shtunën gjithashtu edhe të dielën. Ndërsa Luis Hamilton, pasi shkëlqeu me vend të dytë në Sprint, nuk shkoi më shumë se vendi i nëntë në garën e madhe.
Por Hamilton mund të krenohet me gjashtë fitore në Shangai mes viteve 2008 dhe 2019, dy të parat me MekLaren (2008 dhe 2011), ndërsa katër të tjerat me Mercedesin (2014, 2015, 2017 e 2019). Në sezonin e kaluar në Shangai dominonte Maks Vershtapen, i cili doli me tripletë, “pole position”, triumf në Sprint dhe në garë.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL