Edhe pse udhëton i sigurt drejt fitimit të titullit kampion, Liverpuli planifikon të bëjë ndryshime rrënjësore gjatë merkatos së verës. “Të kuqtë” pësuan rrëzimin e radhës sezonal të dielën e kaluar, pasi humbën 2-1 finalen e Kupës së Anglisë kundër Njukasëllit që nga ana e tij festoi për herë të parë një trofe pas 70 vitesh shterpësia.Duke i shtuar këtij dështimit edhe eliminimin nga Liga e Kampioneve, mund të thuhet se ka ende shqetësime për Arne Slot, që shikon me shpresë nga merkatoja, e cila do të zhvillohet në verë. Situatat e vazhdueshme të pazgjidhura të kontratave të Mohamed Salah, Trent Aleksander-Arnold dhe Virxhil van Dajk, janë vetëm maja e ajsbergut të një skuadre ku trajneri holandez duhet të merret gjithashtu me rinovimin e një grupit tashmë “të plakur”. Duke u kthyer te Van Dajk, kujtojmë se ai u kërkoi tifozëve të mos panikohen për situatën e kontratës së tij, por ende nuk ka asgjë të zezë mbi të bardhë, ndaj nevojiten të merren masa për të vijuar ruajtjen e nivelit.
ROLET – Nëse kapiteni, egjiptiani dhe mbrojtësi anësor largohen, duhen zëvendësuar me emra të të njëjtit nivel. Konkurrenca nuk mungon, por do të kërkohet një anësor i djathtë, një qendërmbrojtës dhe një sulmues krahu që do të duhet të përballojë trashëgiminë e Salahut, që me gjasë do të fluturojë drejt Emirateve të Bashkuara. Për më tepër, prej javësh përflitet edhe largimi i Alisonit. Edhe pse ka dhuruara paraqitje spektakolare, krerët liverpulas synojnë një gardian të ri. Këto zgjedhje vijnë edhe për të motivuar një skuadër, nga e cila edhe Endi Robertson e gjen vetën në rrezik. Për pasojë, do të nevojitet një mborjtës i majtë që mund të ishte Teo Hernandez i cili përflitet se mund të largohet nga Milani pas një sezon tepër negative.
Cilësitë e francezit nuk diskutohen dhe në “Anfield” mund të rikthehet në nivelet që e bënë një ndër mëngjarashët më të kërkuar në Europë jo më larg se dy vite më parë. Arne Slot sapo kaloi javën e tij më të vështirë që kur iu bashkuar Liverpulit në verën e vitit të kaluar, megjithatë ndeshjet me PSGnë dhe Liverpulin nxorën në pah hendeqet e skuadrës, e cila dukshëm ka nevojë gjithashtu për një mesfushor qendror për të zëvendësuar Endon dhe po ashtu një qendërsulmues titullar, pasi dukshëm Nunjez dhe Diogo Zhota nuk po bindin më drejtuesit, por edhe vetë teknikun Slot.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL