Në shtëpinë e Juventusit, humbjet e rënda ndaj Atalantës dhe Fiorentinës vazhdojnë të lënë gjurmë, pavarësisht fjalëve inkurajuese të Xhuntolit pas ndeshjes në “Franchi”. Tiago Mota vazhdon të jetë në dyshim.
Nga njëra anë janë ata që duan t’i japin trajnerit italobrazilian një mundësi të fundit me Xhenoan, nga ana tjetër ata që shtyjnë për një ndërrim të menjëhershëm për të mos përkeqësuar më tej situatën në kampionat.
Një vendim përfundimtar ende nuk është marrë e për këtë arsye vazhdojnë të qarkullojnë emrat e Igor Tudor si opsion kryesor, dhe më pas ai i Roberto Mançinit si mundësia për t’i udhëhequr deri në fund të sezonit.
ALTERNATIVAT- Dy trajnerët e përmendur më parë janë profile shumë të vlefshme (kroati ka avantazhin e njohjes së mjedisit të Juventusit), por të dy do të preferonin të lidhen me “Zonjën e Vjetër” për një periudhë më të gjatë, jo vetëm deri në fund të Botërorit të klubeve.
Kjo është arsyeja pse Juventusi e ka të vështirë të bëjë një ndërrim të menjëhershëm në pankinë. Pa harruar se në verë, lista e trajnerëve të mundshëm do të ishte shumë më e ndryshme. Nga Pioli te De Zerbi, kalohet përmes Konte dhe Gasperinit. Alternativat do të ishin shumë më tepër. Po ashtu, do të kishte edhe më shumë kohë për të reflektuar dhe vlerësuar me të vërtetë emrin e duhur.
RISIA- Pra, Xhuntoli, i cili edhe këto ditë është përpjekur të mbështesë Tiago Motën, duhet të ketë një sy në të tashmen dhe tjetrin në të ardhmen. Reflektimet vazhdojnë, me Tudor dhe Mançini, por gjithashtu në skenë ka dalë dhe një emër tjetër. Bëhet fjalë për Domeniko Tedeskon, i cili është alternativa e radhës që mund t’i besohet stoli bardhezi. Megjithatë, çdo vendim pritet të merret pas Xhenoas.
PANORAMASPORT.AL