Friday, 13. February 2026
Formula 1

Red Bull ndërron sërish pilot

GS 27/03/2025 2 Min. Lesezeit

Tashmë është zyrtare!

Duke nisur nga gara e ardhshme në Japoni, Yuki Tsunoda do të jetë një pilot i Red Bull. Japonezi do të zërë vendin e neo-zelandezit Liam Lawson, që do të vazhdojë të garojë në Formula 1.

Dy pilotët kanë bërë një shkëmbim sediljesh, me Lawson që do të garojë me RB Racing. Ky ndryshim u përfol që të dielën, pas përfundimit të garës së Kinës, por është konfirmuar vetëm të enjten.

Te Red Bull kanë mbetur të pakënaqur nga paraqitja e neo-zelandezit në dy garat e para, ndaj vendosën ta rikthejnë te RB, makina satelit, ku ka pilotuar sezonin e kaluar. Ndërsa Tsunoda ka marrë promovimin e duhur.

Christian Horner, shefi i Red Bull tha:

“Ne synojmë titullin kampion për konstruktorë, ndaj besojmë se përvoja e Yuki do të na ndihmojë. Liam ka nevojë ende të rritet, ndaj do të vijojë karrierën te RB Racing (makina satelit)”.

Kështu, Yuki Tsunoda do të jetë shoku i ri i skuadrës së Max Verstappen. Aventura e Lawson te Red Bull zgjati vetëm dy gara. Ai erdhi në janar pas largimit të Sergio Perez, por nuk arriti të tregojë asgjë me një makinë të shpejtë.

Teilen: