Norvegjia do të ketë në dispozicion edhe Erling Haland në përballjen me Italinë për kupën e botës. Mjekët shprehen se gjithsesi rikuperimi nga dëmtimi i sulmuesit në kyçin e këmbës mund të zgjasë deri në fund të majit.
Erling Haaland do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Italisë më 6 qershor, në sfidën hapëse të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Fillimisht u mendua se sezoni i sulmuesit mund të kishte përfunduar pas dëmtimit në kyçin e këmbës së majtë, të pësuar në ndeshjen çerekfinale të FA Cup ndaj Bournemouth. Por, analizat mjekësore kanë përjashtuar dëmtime serioze.
Pamjet e Haaland që largohej nga stadiumi me paterica dhe këmbën e fashuar ngritën alarmin te tifozët e Manchester City, në një periudhë ku klubi anglez është në ndjekje të zonës Champions dhe përgatitet për Kupën e Botës për Klube, që nis më 14 qershor.
Haaland ishte detyruar të largohej nga loja në minutën e 61-të, pak pasi kishte shënuar golin e 30-të sezonal në 40 ndeshje. Megjithatë, një specialist konfirmoi më pas se mungesa e tij do të zgjaste nga 5 deri në 7 javë, sipas trajnerit Pep Guardiola.
Nëse parashikimet konfirmohen, Haaland pritet të mungojë në shumicën e ndeshjeve të mbetura në Premier League, duke përfshirë edhe gjysmëfinalen e FA Cup më 26 prill ndaj Nottingham Forest, dhe me shumë gjasë edhe finalen e mundshme në Wembley më 17 maj.
“Ka vite që ndodhin kështu gjërat, me një dëmtim pas tjetrit. Më vjen shumë keq për të gjithë lojtarët e dëmtuar këtë sezon, dhe në veçanti për Erling. I uroj rikuperim të shpejtë.”
Duke u bazuar te koha e rikuperimit, sulmuesi 24-vjeçar do të jetë i gatshëm për të luajtur me Norvegjinë ndaj Italisë, më 6 qershor. Kjo sfidë do të jetë e para për kualifikueset e Botërorit 2026 për të dyja përfaqësueset.
Ndërkohë, në mungesë të Haaland, Guardiola do të mbështetet te Omar Marmoush, siç e konfirmoi edhe në konferencë: “Nuk kemi një tjetër me karakteristikat e Haaland, por do të gjejmë zgjidhje me lojtarët që kemi.”