Reali i Madridit duket i prerë për t’ia dalë në kohën shtesë apo nga lotaria e penalltive. Më e fundit ka ardhur të martën në mbrëmje në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit kundër Sociedadit.
Një gol i Antonio Rydiger në minutën e 115-të i mjaftoi Madridit për të siguruar finalen e Kupës, duke thelluar edhe më shumë rekordin e vet. Vetëm Atletiko e Madridit në dy raste (Superkupa e Europës në vitin 2018 dhe 1/8 e finaleve në Kupën e Mbretit 2023-2024) dhe Alkojano (1/16 e finaleve në Kupën e Mbretit në sezonin 2020- 2021) kanë mundur ta eliminojnë Realin në kohën shtesë. Janë vetëm tri eliminime në 20 ndeshjet e fundit që skuadrës së bardhë i është dashur koha shtesë.
Një rrugëtim i suksesshëm i Realit që nisi që në vitin 2014 me finalen e Ligës së Kampioneve në Lisbonë përballë Atletikos së Madridit, e fituar nga asokohe skuadra e drejtuar nga Ançeloti në etapën e parë në Madrid. Ishte një sukses që i dha të “dhjetën” (La Decima) siç njihet ndryshe trofeu i dhjetë në Champions. Për më shumë, Reali nuk ka humbur kurrë një ndeshje në kohën shtesë në fushën e tij. Atletiko e Madridit i ka rastisur të përballet në gjashtë raste ndaj Realit në kohën shtesë, përfshirë ndeshjen e lartpërmendur të Lisbonës dhe në tri prej tyre u desh që fati i fituesit të vendosej nga lotaria e penalltive.
Konkretisht, finalja e Champions League në Milano, Superkupa e Spanjës 2019- 2020 dhe në këtë sezon në fazën e 1/8-ve të Champions League. Këto shifra e bëjnë Realin kundërshtarin më të keq për çdo ekip kur vjen puna në kohën shtesë. “Los blancos” nuk janë eliminuar asnjëherë që nga sezoni 2011-2012 nën drejtimin e Murinjos në Ligën e Kampioneve kundër Bajernit.
ANÇELOTI, SPECIALISTI I MADH – Reali i Madridit dhe Ançeloti janë një binom suksesi. Jo më kot, italiani është trajneri më i titulluar në historinë e klubit të bardhë. Por Ançeloti është dhe një specialist i vërtetë kur vjen puna te ndeshjet në kohën shtesë. Ai e ka bërë këtë me Realin në 13 raste që kur fitoi finalen në Lisbonë, duke humbur vetëm një ndeshje, atë kundër Atletikos së Madridit në Kupën e Mbretit në sezonin 2023-2024, teksa u mund 4-2 në kohën shtesë.
Historia e ka lidhur shpesh me shtesat Realin në këtë sezon. Ekipit të Ançelotit i është dashur të shkojë tri herë në kohën shtesë në këtë sezon (dy herë në Kupën e Mbretit dhe një herë në Ligën e Kampioneve kundër Atletikos së Madridit) dhe në tria rastet ka përparuar më tej.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL