Tuesday, 19. May 2026
Sport

Reagon ministri Çeku: Largimi i flamurit, përgjegjës UEFA-ja dhe Serbia

GS 03/04/2025 2 Min. Lesezeit

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka reaguar për heqjen e flamurit të Kosovës në Kongresin e 49 të UEFA-s në Beograd.

Çeku ka thënë se largimi i flamurit të Kosovës është veprim i dënueshëm. Ai ka thënë se për incidentin përgjegjës janë Federata e Futbollit e Serbisë dhe UEFA.

Ky është reagimi i plotë i ministrit Çeku në Facebook.

Largimi i flamurit të Republikës së Kosovës në Kongresin e UEFA-së në Beograd është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Kosova është shtet i pavarur, që përfaqësohet në botë përmes simboleve shtetërore. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA-së.

Largimi i simboleve është sulm i drejtpërdrejtë ndaj integritetit shtetëror të Kosovës dhe si i tillë nuk mund të kalojë pa reagim të mirëfilltë ndërkombëtar.

Presim sqarime nga UEFA-ja dhe veprime efektive për të adresuar përgjegjësinë për këtë shkelje të rregullave të tyre të brendshme dhe këtë sulm ndaj shtetit të Kosovës.

Dënojmë ashpër gjuhën e përdorur nga Federata e Serbisë në komunikatën e tyre, e cila mjerisht, me vetëdije të plotë pranon të instrumentalizohet nga politika shoviniste serbe.

Shteti serb nuk ka ndryshuar, është i njëjti që ka kryer masakra e gjenocid para pak dekadash. As atëherë e as sot, nuk e ka kursyer as sportin.

Për këtë arsye, kërkojmë nga federatat europiane e botërore të sportit të mos organizojnë ngjarje sportive në Serbi për sa kohë ajo nuk e ndryshon qasjen në raport me pjesëmarrjen e Kosovës.

Teilen: