Botërori 2025 i Moto GP-së ka nisur pa kampionin në fuqi, Horge Martin, i dëmtuar në prag të sezonit, duke humbur tri garat e para të kampionatit, në Tajlandë, Argjentinë dhe SHBA. Por rikthimi i pilotit të Aprilias në pistë po afrohet gjithnjë e më shumë.
Spanjolli iu nënshtrua gjatë javës një radiografie në Barcelonë për të vlerësuar përparimin e kyçit të dorës së majtë të dëmtuar, ndërsa skuadra Aprilia njoftoi se rezultatet e ekzaminimit ishin pozitive.
“Shërimi në nivelin e frakturës së kockës së skafoidit është qartë i dukshëm dhe vidat e sintezës janë pozicionuar mirë, që do të thotë se operacioni është konfirmuar se ka qenë plotësisht me sukses”, shkruan ekipi.
Mjeku Xavier Mir, i cili e operoi në fund të shkurtit, konfirmoi për “Motorsport.com” se “ekzaminimi klinik dhe radiologjik i frakturave të skafoidit, rrezes dhe piramidale tregon një evolucion të mirë që na lejon të fillojmë një fazë të re rikuperimi funksional.
Për të mbërritur në Katar do të shohim se si ndihet piloti, në mënyrë që mund të marrë pjesë në garë, gjithnjë pasi të ketë kaluar vizitat mjekësore të Moto GP-së”, u shpreh mjeku.
Eventi i Katarit do të zhvillohet fundjavën e ardhshme, ndërsa Martin pritet t’i nënshtrohet një radiografie të re në fillim të javës, përpara se të fluturojë për në Losail me synimin për të marrë “dritën jeshile” nga Dr. Charte për të marrë pjesë të paktën në provat e para të lira.
Pas kësaj, gjithçka do të përcaktohet nga ndjesitë që piloti do të ketë, por tashmë numërimi mbrapsht ka nisur dhe madrileni pret me padurim të nisë aventurën e tij me Aprilian. Në Katar do të jetë ndalesa e katërt e Kampionatit Botëror të Moto GP-së. Pas tri garave të para është Aleks Markez i Dukatit Gresini ai që kryeson renditjen me 87 pikë, një pikë më shumë se vëllai i tij, Mark Markez. Më tej, në vend të tretë klasifikohet Françesko Banjaja me 75 pikë.