Mats Humels i ka befasuar të gjithë sot kur me një postim në rrjetet sociale, ka bërë publik vendimin për të mbyllur karrierën e tij në futbollin e luajtur në fund të sezonit aktual. Mbrojtësi i Romës, ka falënderuar verdhekuqtë, Borusia Dortmund, Bajern Mynihun dhe përfaqësuesen e Gjermanisë për emocionet që kishte përjetuar gjatë këtyre viteve me fanellën e tyre.
“Faleminderit. Fund. Çfarë udhëtimi!”, ishin fjalët e Humels në videon ku shpjegonte vendimin e tij. “Në këto momente po luftoj me emocionet e mia. Tani vjen momenti që asnjë futbollist nuk mund ta shmangë. Pas më shumë se 18 vitesh dhe kaq shumë gjërash që më ka dhënë futbolli, do të mbyll karrierën time këtë verë.
Kur i shoh të gjitha këto, e di se sa domethënie ka për mua i gjithë ky rrugëtim, i gjithë ky udhëtim. Sa e jashtëzakonshme ishte të isha në gjendje të përjetoja këtë përvojë. Sepse duhet shumë, thjesht të kesh trajnerët e duhur në kohën e duhur, të jesh në formë në kohën e duhur, të kesh shokët e duhur në momentin e duhur. Dhe kam parë kaq shumë djem. kaq shumë trajnerë, të cilëve u detyrohem shumë. Pa to, e gjithë karriera ime nuk do të kishte arritur kurrë këtë nivel”, ishin ndër të tjera fjalët e mbrojtësit gjerman, i cili në karrierën e tij ka fituar edhe 5 tituj kampion në Bundesligë, por edhe Kupën e Botës në vitit 2014 me përfaqësuesen e tij.
PANORAMASPORT.AL