Si mundet ta menaxhosh entuziazmin e një kapiteni? Këtë gjë është duke menduar trajneri Simone Inzagi, i cili ka marrë lajmin pozitiv për rikthimin në grup të Lautaro Martinezit.Ai ishte duke programuar që t’i jepte pak minuta në sfidën kundër Parmës ditën e sotme dhe pastaj t’i besonte vendin e titullarit ndaj Bajernit ditën e martë. Por dëshira e madhe e “Toros” bën që të jetë nga minuta e parë që sot pasdite për të formuar dyshen me Turamin. Sepse Lautaro është një lojtar i pjekur dhe që e di mirë se kur dhe kur nuk duhet të rrezikojë. Thënë këtë, ai është i rikuperuar plotësisht.
Ashtu siç ishte e parashikuar, Marko Arnautoviç u rikthye në stërvitje me grupin, ndërsa për Taremin duhet më shumë kohë për ta parë në fushën e lojës. Korrea është në dispozicion dhe i gatshëm për të luajtur nga minuta e parë. Mes rikthimeve lajmi i mirë është edhe për Dimarkon, i cili të mërkurën pati të njëjtin problem si Arnautoviçi. Sa i përket formacionit për ditën e sotme, trajneri Inzagi do të zbresë Zomerin nga minuta e parë në portë. Ndërkohë që në mbrojtje do të rikthehet edhe Açerbi për të udhëhequr prapavijën me Bastonin dhe Pavarin. Në stërvitjen e ditës së djeshme është provuar Karlos Augusto si lojtar anësor i djathtë, nisur nga fakti që Dumfris nuk është dhe trajneri ka nevojë për një alternativë të Darmianit.
Ndeshjet shumë afër njëra-tjetrës dhe të dëmtuarit e detyrojnë Inzagin që të bëjë shpikje në formacion. Për herë të parë, mundet që Kristjan Asllani dhe Hakan Çalhanoglu të luajnë së bashku me njëri-tjetrin dhe kjo do të ishte një ndihmë e madhe për mesfushorin shqiptar që të ketë afër “profesorin” e tij. Asllani ka luajtur gjithmonë me Fratezin ose Barelën, lojtarë që teknikisht nuk janë si Çalha dhe kjo lëvizje mund të ndryshojë fatet e sezonit dhe të së ardhmes për Asllanin. Barela është i ndëshkuar me kartonë, ndërsa Fratezi pritet ta nisë nga stoli. Treshja e mesfushës do të plotësohet nga Mkitarian.
PANORAMASPORT.AL