Herë pas here, revolucioni ka ndonjë lidhje me të kaluarën. Shumë herë quhet kështu, pikërisht sepse ndryshojnë krejtësisht konceptet e mëparshme.Ky është rasti me Tudor te Juventusi. E kuptojmë ndjenjën e përkatësisë, e kuptojmë dashurinë e tifozëve, por me trajnerin e ri, ka pasur sidomos një ndryshim të thellë në aspektin e qasjes mendore, metodologjisë dhe strukturës së lojës. Nuk është një mister që kroati është një trajner veçanërisht i talentuar për motivimin psikologjik të grupit. Dhe këto nuk janë vetëm ndryshimet në krahasim me menaxhimin e mëparshëm.
NDRYSHIMET- Tudor menjëherë ka kërkuar të ndryshojë konceptet taktike të Juventusit. Nuk është çështje sistemi loje (nga 4-2-3-1 në 3- 4-2-1), por e principeve në të dyja fazat. Loja me top, kërkimi i lojës më vertikale është kërkesa kryesore e Tudorit. Të shikosh gjithmonë përpara sa herë që ke topin, që nuk do të thotë ta hedhësh atë pa menduar në thellësi, por të respektohen disa rregulla të orientuara nga shpejtësia e stilit të lojës. Ky është një ndryshim i thellë krahasuar me menaxhimin e Tiago Motës, i cili kërkonte kontrollin e lojës duke shfrytëzuar një mbajtje të gjatë të topit në gjysmën e tij të fushës. Tani ka më pak lëvizshmëri dhe më shumë respekt për rolet në përpjekjet për të aktivizuar dy trekuartistët dhe sulmuesin qendror, të cilit i kërkohet të bëjë lëvizje që të zgjerojë vijën kundërshtare. Në fazën mbrojtëse, bëhet presion i drejtpërdrejtë mbi lojtarin me topin në këmbë.
FILOZOFIA- Ky lloj futbolli vjen pas stërvitjeve të fundit të udhëhequra nga Tudor, shpesh edhe me përsëritje individuale. Disa lojtarëve duhet t’u shpjegohen mirë detyrat e reja që duhet të mësojnë. Ky është rasti, për shembull, me Niko Gonzalezin, i cili duhet të luajë në një rol të ri për të, si një lojtar anësor që mbulon të gjithë krahun. Tudor u është përkushtuar veçanërisht këtyre punëve individuale gjatë pauzës për ndeshjet ndërkombëtare. Me grupin e plotë, ai është përqendruar më shumë në ushtrime kolektive, ku ka dominuar ideja për të gjetur dhe shfrytëzuar thellësinë, përpara se të fokusohej te ndeshja specifike. Tudor ka shumë për të humbur, nga vendi në Ligën e Kampioneve deri te vendi i tij i punës. Sigurisht, ai do të përballet me sfidën në mënyrën e tij. E radhës tani është kundër Romës, që do të zhvillohet ditën e diel, në orën 20:45. Një sfidë direkte për një vend në Ligën e Kampioneve dhe përballë një kundërshtari shumë të sikletshëm që po kalon një superformë. Tani për Tudorin është ora e së vërtetës. A do t’ia dalë? Gjithçka do të kuptohet të dielën, ku sfida është më shumë se vendimtare.
PANORAMASPORT.AL