Monday, 18. May 2026
Sport

Basketboll, duele të forta në Prizren e Gjakovë

GS 06/04/2025 2 Min. Lesezeit

Dy ndeshje, njëra në Prizren dhe tjetra në Gjakovë do ta karakterizojnë xhiron e 28-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Me këto dy përballje që luhen në mbrëmje nuk do të përfundoj vetëm xhiroja e 28-të por edhe stinori i rregullt i këtij sezoni, ku pastaj do të fillojnë garat e play-offit.

Të dyja ndeshjet, si ajo në Prizren dhe në Gjakovë, do të startojnë prej orës 20:00, ku do të përballen Bashkimi – Peja dhe Vëllaznimi – Sigal Prishtina.

Në Prizren luhet për pozitën e parë në stinorin e rregullt kurse në Gjakovë, tashmë gjërat janë të definuara.

Vëllaznimi do të futet në play-off nga pozita e gjashtë dhe do të luaj në serinë çerekfinale, ku do të përballet me Sigal Prishtinën, e cila pavarësisht rezultatit të sotëm do të përfundoj në pozitën e tretë.

Bashkimit i duhet fitorja ndaj Pejës për ta mbyllur stinorin e rregullt në pozitën e parë në tabelë, të cilën aktualisht e mbanë Trepça me 47 pikë, një më shumë se prizrenasit.

Ndërkohë, Peja do të përfundoj e pesta në tabelë dhe në çerekfinale të play-offit do të përballet me Golden Eagle Yllin e pozitës së katërt.

Dy vendet e para në stinorin e rregullt, do të avancojnë direkt në gjysmëfinale të play-offit, ku i presin fituesit e serisë çerekfinale.

Bashkimit për duelin me Pejën, i rikthehet amerikani Jayveous McKinnis, i cili ka qenë i lënduar për disa javë dhe është lojtari kryesor i ekipit nga Prizreni.

Teilen: