Pas pritjeve në Ligën e Kombeve që çuan Francën në gjysmëfinale, Majk Menja duket se është kthyer me tjetër rendiment te Milani. Qasja, nuk është vënë kurrë në diskutim, as në momentet më të errëta të ekipit që sivjet ka pasur ulje-ngritje të pazakonta, pak a shumë si portieri që tashmë mban edhe shiritin e kapitenit.
Pikërisht, francezi, ka dhënë dje një intervistë për televizionin e klubit.
Jeni kthyer “magjik” apo keni qenë gjithmonë kështu? Majku “magjik” nuk ishte larguar kurrë, por, siç e dini, në jetë mund të ketë ulje-ngritje dhe kështu ndodh me një portier e sidomos në këto nivele. Nuk e kam lënë kurrë veten të bie në depresion, sepse e di që mund të ndodhë një moment i keq. Nga ana ime, jam përpjekur gjithmonë të qëndroj i fokusuar dhe i sigurt në punën time.
Cila ishte pritja më e vështirë kundër Fiorentinës? Ajo që isha vetëm përballë Moisit (Ken). Është një situatë ku lojtari afrohet dhe mund të të godasë në çdo cep, por unë arrita të zë portën dhe e fitova atë duel.
Dy gola të pësuar po bëhen si të zakonshëm. Ju, si mendoni? Luajmë të gjithë së bashku dhe gabimet apo gjërat e bukura i bëjmë së bashku. Situata si ajo me Fiorentinën kur pësuam dy gola në pak minuta, më zemërojnë, ndëshkohet ekipi dhe sidomos unë. Por gjithmonë kemi treguar qëndrimin apo reagimin e duhur. E nisëm keq, por reagimi ishte i saktë.
Si e shpjegoni periudhën e vështirë që kaluat në nivel individual? Ka qenë një periudhë ku kam bërë më pak pritje: kështu është, por kam qëndruar gjithmonë pozitiv, kam bërë të njëjtat gjëra që më kanë sjellë dhe mundësuar që të luaj në këtë nivel.
Kohët e fundit flitet për trajnerin e ri apo drejtuesit e rinj për t’ju ndihmuar: çfarë keni nevojë? Duhet të kemi më shumë njerëz në gjendje që t’i flasin dhe të ndihmojnë grupin. Receta për të dalë nga situatat e vështira është vetëm punë, por nevojitet edhe një lloj reagimi.
Si kapiten, si e përjetoni vendin e nëntë? Është e vërtetë që nuk e jetoj mirë, sepse duam të fitojmë dhe unë dua të fitojmë: çdo ditë punojmë për të pasur rezultatet e larta që Milani meriton. Për momentin nuk e kemi erën në favorin tonë. Duhet të punojmë dhe të besojmë deri në fund. Do të bëjmë llogaritë në fund dhe uroj të jenë sa më pozitive.
Si i shpjegoni ndërprerjet e energjisë në fushë? Ndoshta është diçka mendore, humbasim besimin kur fillojmë lojën dhe pësojmë gola: ndonjëherë mund ta kthejmë rezultatin, por nuk duhet të ndodhë gjithnjë ashtu. Duhet të gjejmë ekuilibrin për të qenë sa më efektivë.
Mund të stërvitet mentaliteti? Po, sigurisht, gjithçka stërvitet. Për të pasur këtë moment kam punuar dhe e di se si shkojnë gjërat pasi kam përjetuar tashmë momente të tilla. Nga përvoja e di se si është. Ne nuk duhet të kemi stres dhe të dëgjojmë çfarë thuhen jashtë, por nevojitet të qëndrojmë të fokusuar në mënyrën se si punojmë brenda. Ndoshta në këtë grup për shumë nga shokët është hera e parë në karrierë me kaq shumë trysni dhe në një klub si Milani ku ka kaq shumë presion. Megjithatë, këto janë aspekte që do të ndihmojnë secilin në të ardhmen.
A jeni gati të filloni sërish në të ardhmen: dëshironi të qëndroni te Milani? Ndihem mirë te Milani, jap gjithçka për fanellën sa herë e vesh dhe çdo ditë. Në këtë moment do t’ju them të vërtetën, nuk dua të flas për kontrata: dua të flas për futbollin dhe të gjej ekuilibrin e duhur. Milani, ekipi dhe të gjithë njerëzit që punojnë këtu meritojnë më shumë.
Cilat janë objektivat tuaj për këtë fund sezoni? Kur luan për Milanin, nuk ka nevojë të flasësh për objektiva. Kur je në këtë klub, duhet të mendosh gjithmonë për majën, maksimumin. Fatkeqësisht kemi një moment si ky, që mund të ndodhë në futboll. Ky ekip punon çdo ditë duke dhënë gjithçka, këtë e them me shumë sinqeritet. Në të ardhmen do të marrim përvojën e këtij sezoni dhe do të rritemi edhe më shumë.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL