Nis të shtunën me një ndeshje dhe përmbyllet të hënën me dy duele, java e 30 –të e Superligës në futboll, me përballje interesante, kur gara po bëhet më e nxehtë.
Malisheva – Llapi, dueli që ka zgjuar gjithnjë rivalitet të madh, por edhe rezultate befasuese, është ndeshja që e hap xhiron 30, të shtunën, duke nisur nga ora 15:00 në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Malisheva vjen nga humbja në mesjavë me Ferizajn, derisa Llapi është në seri prej dy fitoreve rresht dhe duke ikur nga pozita e parafundit.
Skuadra e Batatinës, ka një seri pozitive të rezultateve me vetëm një humbje nga pesë të fundit. Malisheva që e ka blinduar pozitën e tretë, nga tri ndeshjet e këtij sezoni kundër Llapi i ka dy fitore derisa ndeshja e fundit ndërmjet dy ekipeve ka përfunduar pa fitues.
Kjo xhiro vazhdon të dielën me dy ndeshje të tjera. Nga ora 15:00 Suhareka është nikoqire e lideres, Dritës, ndërsa nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri” luhet ndeshja Prishtina – Ferizaj.
Të hënën zhvillohen dy ndeshjet e tjera të kësaj jave.
Gjilani është vendës përballë Dukagjinit, me të dyja skuadrat ende në garën për mbijetesë, ndërsa në Drenas, Feronikeli që tashmë edhe matematikisht ka rënë nga liga, do të luajë kundër Ballkanit.
Të dyja këto sfida zhvillohen nga ora 15;00.