Xhuzepe Marota ka shprehur krenarinë dhe lumturinë për arritjen e skuadrës së tij në gjysmëfinalet e Champions-it. Presidenti i zikaltërve foli për këtë, por edhe për garën në kampionat që do të jetë shumë e vështirë.
“Kualifikimi është një motiv krenarie për klubin, tifozët, pronarët dhe mbi të gjitha për trajnerin që ka shumë meritë në arritjen e këtij rezultati. Është një moment për të qenë të lumtur, por nuk është fundi i një rrugëtimi”.
VITI- “Pavarësisht nga rezultati në fund, mendoj që është një sezon shumë pozitiv dhe vazhdimësia e një projekti të nisur vite më parë, i një cikli. Por është një cikël që ka rinisur me Inzagin, që e ka bërë skuadrën protagoniste në Europë. Jemi protagonistë edhe në Itali”.
PA LIMITE- “Ne jemi Interi, kemi një histori mbi shpatullat tona dhe një palmares të pasur dhe me sukses në të gjitha kompeticionet. Kështu që, e kemi për detyrë që të kërkojmë të fitojmë në të gjitha kompeticionet ku marrim pjesë. Tani kemi një sfidë shumë të vështirë në kampionat. Interi është mësuar të luajë në nivele të tilla”.
BOLONJA- “Kampionati është i hapur dhe ka shumë ndeshje. Mund të ndodhë gjithçka, por sigurisht që Bolonja është një test i rëndësishëm për ne. Ne vijmë nga një stres psikofizik i madh sepse kualifikimi me Bajernin nuk ishte i lehtë. Bolonja është një test i vështirë”.
INZAGI- “Mendoj se Inzagi është një nga më të mirët në qarkullim. Është trajner i ri dhe i zoti në aspektin fizik, në përgatitjen e ndeshjeve dhe në menaxhimin e grupit. Të gjithë janë rritur në këto 4 vite. Ky grup duhet të vazhdojë”.
RINOVIMI- “Ka një kontratë edhe për një sezon, por është normale që nuk duhet të qëndrojmë me një trajner që skadon. Kështu që do të ulemi dhe do të flasim për të hedhur firmën”.
LAUTARO- “Firma e tij mbi kontrata është konfirmimi i një raporti të jashtëzakonshëm mes tij dhe klubit zikaltër. Ai është kapiteni ynë dhe është rritur shumë në aspektin sportiv. Unë e shoh përditë në stërvitje dhe mund të them se është rritur edhe si njeri. Është lideri ynë”.
CHAMPIONS-i- “Sigurisht që fitorja e një Champions-i është e vetmja gjë që më mungon dhe do të ishte një motiv lumturie. Unë e konsideroj si një ëndërr, por ëndrrat edhe mund të realizohen. Tani kemi Barcelonën dhe nuk e nisim në disavantazh me ta. Kemi për detyrë që të besojmë”.
PANORAMASPORT.AL