Është mbrojtës, por i pëlqen të sulmojë. Ai ka ndryshuar rolin, por detyrën e tij në prapavijë e bën si duhet.
Të paktën kështu mendon dhe thotë se të tjerët janë inatçinj që e kritikojnë. Alesandro Bastoni rrëfehet pas kualifikimit të Interit në gjysmëfinalen e Champions-it duke prekur shumë tema të rëndësishme. Nga gara për titullin kampion me Konten, te krahasimi me Interin e vitit 2010. Italiani nuk driblon asgjë.
Keni fjetur mirë pas Bajernit?
Jo shumë. Adrenalina ishte në maksimum, por këto net pa gjumë kalojnë lehtësisht. Nuk kam ëndërruar asgjë sepse kishte pak për të ëndërruar. Realiteti është që ishte një mbrëmje e bukur. Nuk jam përqendruar në asgjë tjetër.
Në gjeografinë e zemrës, ku e vendos këtë mbrëmje?
Në 5 mbrëmjet më të bukura që kam përjetuar me skuadrën e Interit. Përpara ndeshjes shumë mendonin që Bajerni e kishte të sigurt kualifikimin dhe se ishte një skuadër favorite për Champions-in. Fakti që e eliminuam, do të thotë se jemi një ekip i madh.
Shënuat gol në Mynih pasi pësuat, ndërsa në Milano dy gola pas atij të Kejnit. Ka të drejtë Lautaro kur thotë se keni bo…?
Po. I kemi për të thënë të vërtetën. Por, mbi të gjitha jemi ata që besojmë në vetvete. Përtej perceptimit që kanë të tjerët për Interin, brenda ne kemi një besim të çmendur në vetvete. E dimë që nëse na krahasoni një nga një, ndoshta nuk jemi më të mirët, por të gjithë bashkë mundet që t’u hapim punë shumë ekipeve.
Menduat ndonjëherë që ndoshta nuk do të kualifikoheshit?
Jo. Gjithmonë kam menduar se do t’ia dilnim. Kishim një dëshirë të madhe për t’i treguar botës që këtu nuk kishim arritur rastësisht. U futëm në fushë të tillë dhe të bindur që do t’ia dilnim.
Të riprovoni pas Stambollit është një shtysë më shumë?
Po. Sepse karrierat tona nuk janë të pafundme dhe nuk do të luajmë shumë gjysmëfinale Champions-i. Është një rast që duhet shfrytëzuar në maksimum. Duam që të përjetojmë emocionet e Stambollit, por këtë herë në anën e kundërt. Do të bëjmë gjithçka që kjo të realizohet. Por, nuk është e thënë që të ndodhë. Kemi punuar shumë dhe nuk kemi ndaluar. Vetëm 20 ditë nuk mjaftojnë për një lojtar.
Ma tregoni dot ndeshjen Inter-Bajern vetëm me një imazh?
Rikthehem në ndeshjen e parë dhe më ka mbetur në mendje goli i 2-1, kur inercia ishte e gjitha për ata. Sidomos në aspektin psikologjik ishte një sinjal i fortë. Barazimi 1-1 nuk na mjaftonte. Mendoj që Bajerni e pësoi me atë gol.
Çfarë ka diçka specifike në shprehjen e Lautaros se Interi ka dy b… të mëdha?
Ka shumë kualitet, shumë teknikë. Asnjëherë nuk ka na ndodhur në këto vite të përballeshim me një ekip si Bajerni, por si në sfidën e parë, ashtu edhe në të kthimit ia dolëm si ekip i madh, me topin në këmbë dhe duke i krijuar probleme një ekipi të jashtëzakonshëm. Ka shumë dëshirë për të vuajtur, duke llogaritur edhe sulmuesit.
Nga 4 skuadrat e mbetura në Champions, mendoni se Interi di të luajë disa mënyra?
Po. Është e vërtetë. Dhe dua që ta zgjas pak këtë diskutim. Në nivelin individual ndoshta jemi inferiorë në krahasim me gjysmëfinalistët e tjerë, por si skuadër mund t’i mundim të gjithë. Nëse heqim dorë nga puna në grup, rrezikojmë që të dështojmë.
Në anën tuaj kundër Barcelonës do të jetë Lamin Jamal. Si ndalet ai dhe Barcelona?
Nuk e di, sepse në Europianin e fundit nuk na shkoi mirë (qesh). Barcelona ka një identitet të qartë në lojë, por ndoshta lë disa hapësira. Kundër tyre duhet të mbrojmë si skuadër. Jemi përballur me anësorë të shkëlqyer si Olise dhe Sane dhe në grupe me Arsenalin. Duhet të jemi në 100% të formës dhe të përqendrimit.
Ku e keni parë gjysmëfinalen Barcelona-Inter në vitin 2010?
Në shtëpinë time, si ndeshjen e parë dhe të dytë. Kujtoj ankthin, me të cilin i përjetova ato ndeshje.
Do të bëjmë një lojë: Të gjejmë ngjashmëri mes Interit tuaj dhe atij të Tripletës…
Na bashkon gjithmonë dëshira për të vuajtur në fushë. Kujtoj Samuel Etonë që luajti si lojtar krahu, ndërsa këtë punë tani e bëjnë Lautaro dhe Turam. Kemi të njëjtin kapacitet për të qenë bashkë në vështirësi dhe t’i bëjmë keq rivalit kur duhet. Të kuptojmë se si ndryshon ndeshja brenda saj.
Ju jeni mbrojtësi më i shtrenjtë në botë me 85 milionë euro për momentin. Një lojtar që admirojnë të gjithë në linjën me tre. Befasoheni nga fakti që në kombëtare spostoheni në qendër?
Në të njëjtin pozicion është edhe Kalafiori që është shumë i zoti. Ideja e trajnerit Spaleti është që të vendosim në fushë kualitetin pa u nisur nga pozicioni. Rikardo është një lojtar i shkëlqyer dhe në kombëtare jemi një grup që nuk duam probleme.
Keni bërë një mbyllje ndaj Olises në Milano dhe një tjetër ndaj Kejnit në Mynih. Ju bezdis fakti që disa njerëz mendojnë se ju nuk dini të mbroni dhe nuk jeni një mbrojtës puro?
Ky është një këndvështrim italian. Këtu ka shumë inate, sidomos kur flitet për lojtarët tanë. Unë shoh edhe shumë ndeshje të tjera në Europë, ku ka shumë lojtarë që konsiderohen si monstra në markim dhe bëjnë më shumë gabime se unë. Diskutimi mund të qëndronte kur përpara 3 viteve unë lija hapësira, por kam punuar dhe jam përmirësuar. Sot ky diskutim nuk vlen për mua.
Si jeni përmirësuar dhe ku keni punuar në mbrojtje?
Kam parë shumë video dhe kuptoja se ku gaboja, por mbi të gjitha në aspektin psikologjik. Ishte një problem mental ku humbja përqendrimin dhe nuk isha i tillë për 90 minuta. Por sapo kam bërë 26 vjeç dhe kam akoma shumë vend për përmirësim. Ajo që më bën ndryshe nga të tjerët është kapaciteti për të krijuar lojë në aspektin sulmues. Nuk e di si do të jenë mbrojtësit e së ardhmes, por më vjen mirë që jam një nga të parët që e kam ndryshuar rolin. Por thënë këtë, unë mendoj që di të mbroj. Të kem qenë me Shkrinjarin, Açerbin, De Vrajin dhe Pavarin më ka ndihmuar shumë.
Tani duket se edhe në aspektin fizik i përballoni më mirë ndeshjet?
Duke konsideruar edhe kombëtaren, tani janë 54 ndeshje në total. Rrotacioni është i nevojshëm sepse po luajmë çdo 3 ditë. Inzagi nuk sheh asnjë në fytyrë dhe i bën rrotacionet sipas planit të tij. Ky është një mentalitet që na ka sjellë aty ku jemi. Në përgjithësi, mendoj se edhe përmirësimi në aspektin fizik më ka ndihmuar. Por do të jem në topformë kur të shkoj 28-29 vjeç.
Lodhja është diçka që ju penalizon apo ndihmon që të shtojë adrenalinën për të kaluar limitet?
Sa më shumë luan, aq më shumë ekzaltohesh. Në fillimin e sezonit do të kishim firmosur me sy mbyllur për të qenë në gjysmëfinalen e Champions-it, në Kupën e Italisë dhe të parët në kampionat. Sigurisht që lodhja ndihet, por nuk duam të zgjedhim mes këtyre kompeticioneve. Do të provojmë gjithçka.
Muaji i ardhshëm mund të jetë i krenarisë ose i dështimit. Nëse nuk merrni trofe në fund, a ka vend për gjëra pozitive?
Ka mundësi që të dalim edhe të dytët në të gjitha kompeticionet. Por një sezon në këtë lartësi nuk është negativ. Duke parë që edhe të tjerët kanë shpenzuar shumë, jemi të lumtur. Por pa kupa, sigurisht që do të kemi një shije të hidhur.
Tani po vjen kampionati. Si do të jetë Pashka në Bolonja?
Do të shkojmë atje me entuziazëm, por duhet të bëjmë kujdes. Bolonja është një ekip i fortë dhe fizik. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. E dimë që kemi kujtime të hidhura atje, por duam t’i fshijmë.
Një nga ata që mund të kenë festuar për kualifikimin tuaj ishte edhe Antonio Konte, ju do të lodhur në këtë fundkampionati…
Po thoni që ishte në shesh për të festuar? (Qesh). Bëj shaka, e vlerësoj shumë mister Konten. Ai bën lojën e tij edhe në aspektin dialektik dhe kërkon që të fshihet pas gishtit dhe për të na vënë ne në presion. Por, ne e marrim me qetësi. Forca jonë është që shohim vetëm në shtëpinë tonë. Napoli do të luftojë deri në fund dhe nuk mund të lëmë më pikë rrugës.
Përtej asaj që ne shohim, cila është një pikë që nuk ia njohim Inzagit?
Ai është një nga ne. Kur e shihni që futet në fushë dhe që tërbohet, për ne janë sinjale të forta që na ndihmojnë. E tregon çdo ditë në stërvitje. Ka pasion, grintë dhe entuziazëm. Kur je i lodhur apo i zemëruar, ai bën një batutë dhe të bën për vete.
E quani “Demone” (Djall) në dhomat e zhveshjes?
Jo, jo. Nuk kemi mbërritur deri këtu. Përtej raportit, ne e vlerësojmë dhe e respektojmë.
Ju pëlqen nofka “Bastonbauer”?
Pse jo?! Po mbaj edhe atë “Xherri” që ma ka vendosur Dimarko kur ishim te Parma. Më thotë që jam si një gjirafë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL