Real Madrid ka kërkuar vazhdimisht që të ndryshohet gjyqtari i finales së Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës, pasi e sheh në grupin e atyre që kanë bërë gabime të qëllimshme kundër “los blancos” në vitet e fundit. “Real Madrid TV” ka publikuar një listë të gjatë gabimesh të gjyqtarëve e mes tyre ishte edhe Rikardo De Burgos Bengoeçea, i cili do të drejtojë ndeshjen ndaj Barçës këtë fundjavë.
I pyetur rreth kësaj situate, në konferencën për mediat, vetë gjyqtari nuk është përmbajtur duke u përlotur teksa fliste.
“Flitet shumë për videot e Real Madrid TV pasi janë ato që kanë më shumë ndikim. Po të tregoj situata që kanë jetuar disa kolegë të mi. Kur djali yt shkon në shkollë dhe ka disa fëmijë që i thonë se i ati është një hajdut e kthehet në shtëpi duke qarë, atëherë është shumë e vështirë. Ajo që bëj unë në rastin tim, është të mundohem të edukoj djalin tim duke i thënë se babai i tij është i ndershëm”, tha ai fillimisht duke mos mbajtur lotët para gazetarëve.
“Gabohet, ashtu si çdo sportist. Është e vështirë, shumë e vështirë, një gjë që nuk ia uroj askujt. Pastaj në ditën që do të largohem nga ky profesion, dua që djali im të jetë krenar për atë që ka qenë babai i tij dhe për botën e arbitrave. Pasi arbitrimi na ka dhënë vlera të mëdha dhe nuk e meritojmë që të vuajmë. Dhe nuk mendoj aq shumë për ne profesionistët, por për dëmet që gjëra të tillë i bëjnë kolegëve tanë në futbollin e të rinjve. Çdokush të bëjë një reflektim se ku duam të shkojmë dhe te e ardhmja e sportit dhe futbollit”, tha ai shumë i emocionuar teksa fliste.
PANORAMASPORT.AL