Ajo e orës 15:30 kundër Maincit mund të vulosë në mënyrë zyrtare titullin e Bundesligës për këtë sezon.Në fakt, Bajernit do t’i mjaftojë të fitojë dhe të shpresojë në një frenim të Leverkusenit. Megjithatë, në Mynih nuk janë gati për festë siç e dëshmoi edhe Vinsent Kompani në një konferencë për shtyp disi të tepruar në nervozizëm, duke qenë se është kaq afër titullit të tij të parë në Gjermani.
Si e keni përgatitur ndeshjen me Manicin?
Lojtarët duhet të dinë se çfarë nevojitet për të qenë gati taktikisht dhe mendërisht për çdo ndeshje. Jemi gati dhe të fokusuar, aq më tepër kundër një rivali, që në fazën e parë ishte ndër të paktët që na mundën. Mainci është konsistent në gjithçka që bën. Kur bën presion, e bën së bashku. Kur mbrohet, e bën gjithashtu së bashku. Për ne janë gjithmonë një kërcënim.
Do të festoni në rast titulli?
Jemi përgatitur për ndeshjen, e cila është ajo që kë më shumë rëndësi. Çdo skenar tjetër nuk është pjesë e mendimeve të mia.
Si ndiheni kur jeni kaq afër titullit për herë të parë në karrierën tuaj si trajner?
Më duket e pabesueshme që brenda një jave duhet t’i përgjigjem dy herë së njëjtës pyetje. E kam fituar një titull me Bërnlejn. Dola i parë në Championship-in anglez dhe festuam siç duhej.
Por ishte një ngjitje kategorie…
Në fund të kampionatit ishim të parët në renditje dhe tërhoqëm edhe një trofe, ndaj këto provokime nuk janë të bukura. Tituj fitohen nga lojtarët, ndaj unë si trajner nuk mund të them se ishte titull im. Është talenti që vendos në këto situata. Do të ishte bukur të shpalleshim si kampionët, por është më bukur nëse lojtarët motivohen për të fituar.
A keni filluar të mendoni për Kupën e Botës për klube?
Kemi për të përjetuar një sezon të veçantë me Kupën e Botës për Klube si mbyllje. Kemi punuar me çdo aspekt në mënyrë që të krijojmë planin më të mirë të mundshëm. Disa lojtarë do të jenë gjithashtu në veprim me ekipet e tyre kombëtare. Është e rëndësishme që të jemi në formën më të mirë të mundshme për këtë Kupë Bote për Klube. Ne gjithmonë kemi qëllimin për të fituar, dhe kjo do të jetë e njëjtë edhe atje.
A do t’u jepni hapësirë lojtarëve si Lenart Karl apo talenteve të tjera në ndeshjet e radhës nëse fitoni titullin kundër Maincit?
Kemi djem të rinj të mirë në stërvitje. Ata po zhvillohen siç duhet. Të qenit pjesë e skuadrës nuk është vetëm një dhuratë, por edhe një shpërblim për punën e tyre. Duam t’u japim atyre mundësinë t’ia dalin mbanë. Ka shumë hapa të tjerë për të bërë. Detyra jonë është t’u japim atyre një mjedis ku mund të zhvillohen.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL