Ashtu siç parashikohet, “El Clasico” i Kupës së Mbretit ka dhuruar spektakël dhe polemika. Në fund të sfidës mes Barcelonës dhe Real Madrid, të mbyllur me fitoren 3-2 të katalanasve pas kohëve shtesë, madrilenët nuk kanë mbajtur nervat me shpërthimet e tyre ndaj gjyqtarëve.
Rydiger u ndëshkua me të kuq pa mbaruar sfida, teksa nga stoli gjuajti me një qese me akull gjyqtarin e ndeshjes që akordoi faull kundër skuadrës së tij në momentet e fundit. Por pas vërshëllimës përfundimtare, në fushë kishte rrëmujë dhe në listën e gjyqtarin, të ndëshkuar me karton të kuq, përfunduan edhe Bellingam me Lukas Vaskez. Të dy këto lojtarë raportohet në protokollin e arbitrit, se janë ndëshkuar për gjestet fyese dhe veprimet e tyre. Më saktësisht, Lukas Vaskez për kundërshti të vazhdueshme ndaj gjyqtarit dhe se ka “hyrë në fushën e lojës në momentet e fundit disa herë”. Ndërsa Bellingam sepse i është drejtuar me sjellje agresive gjyqtarëve pas mbylljes së ndeshjes “i mbajtur me forcë nga shokët e skuadrës”.
Për lojtarët e Realit pritet një dënim model, me Rydiger i cili praktikisht mund ta ketë mbyllur sezonin pasi rrezikon nga 4 deri në 12 javë jashtë fushave të lojës. Meqë bëhet fjalë për sjellje të rëndë josportive, ky dënim përfshin edhe kampionatin. Ndërsa për dy të tjerët, do të ketë minimalisht nga 2 javë pezullim, që do t’i kryejnë në edicionin e ardhshëm të Kupës së Mbretit.
PANORAMASPORT.AL