Karlo Ançeloti do të jetë trajneri i ardhshëm i Brazilit. Për këtë janë të bindur në Spanjë ku prestigjiozja “Marca” ka shpjeguar me një artikull të detajuar se tashmë ditët e tij si trajner i Realit janë pranë fundit pasi ai do të ulet në pankinën e “seleçaos”.
Sipas saj, trajneri ka gjetur në këto ditë akordin me Federatën Braziliane për kushtet financiare dhe të punës. Por ai pritet që të mbyllë kampionatin në Spanjë me Realin, për t’u larguar nga klubi spanjoll vetëm në fund të majit.
Ai nuk do të jetë trajneri i Realit në Botërorin e Klubeve pasi do të jetë në qershor i impenjuar me Brazilin dhe tani mbetet vetëm zyrtarizmi me firmën mes palëve i këtij akordi për të vulosur gjithçka. Reali nuk do të bëhet pengesë edhe pse ai ka një kontratë ekzistuese me madrilenët, në shenjë respekti për kontributin e jashtëzakonshëm të tij.
Trajnerin italian e pret një sfidë edhe më e vështirë me Brazilin, pasi objektivi i tij do të jetë vetëm një, ai i fitores së Kupës së Botës, pasi me “seleçaon”, çdo rezultat tjetër do të vlerësohet si dështim.
PANORAMASPORT.AL