Klubi i basketbollit Bashkimi ka thënë se incidenti i të dielës në Prizren ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi dhe një reagimi jo të duhur të sigurimit të brendshëm, i kontraktuar nga klubi për të menaxhuar sigurinë gjatë ndeshjes.
Incidenti ka ndodhur pesë sekonda para përfundimit të takimit të së dielës në palestrën “Sezai Surroi”. Në zonën përballë tavolinës zyrtare është krijuar një tollovi, ku pati shkëmbim grushtesh dhe shtyrje mes disa personave, ndërsa situata eskaloi me hedhje të mjeteve shpërthyese në fushë nga tifozët. Policia ka reaguar për ta qetësuar situatën. Pas largimit të tifozëve nga palestra, pesë sekondat e mbetura të lojës u luajtën formalisht, me Bashkimin që e fitoi ndeshjen dhe mori epërsinë 2:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Ndeshja e katërt zhvillohet të enjten në Pejë.
Bashkimi ka reaguar të hënën mbrëma përmes një komunikate.
“Për fat të keq, për shkak të një keqkuptimi dhe një reagimi jo të duhur në menaxhimin e situatës nga ana e sigurimit të brendshëm, i cili është i kontraktuar nga klubi për t’u përkujdesur për sigurinë në sallë, në mënyrë tërësisht të paqëllimshme ndodhi një incident dhe një situatë e papëlqyeshme, vetëm pesë sekonda para përfundimit të ndeshjes kur rezultati ishte i qartë. Këto veprime nuk pasqyrojnë vlerat dhe qëllimet tona sportive”, shkruan në komunikatën e Bashkimit.
Bashkimi ka mohuar që incidenti të kishte lidhje me ekipin kundërshtar apo me gjyqtarët, duke theksuar se nuk ka pasur sulm ndaj lojtarëve apo arbitrave.
“Kryesia e KB Bashkimi është plotësisht e bashkuar dhe e përkushtuar për të njëjtin qëllim: ngritjen e konkurrencës sportive, forcimin e dashurisë për basketbollin dhe zhvillimin e jetës sportive në qytetin tonë. Në asnjë moment nuk përkrahim energji negative apo veprime që cenojnë vlerat e sportit”, shkruan tutje në komunikatën e Bashkimit