Tri ndeshje, tri humbje, zero gola të shënuar. Përtej statistikave, që përherë u shërbejnë kritikëve dhe atyre që këndojnë këngët e katastrofës, gjithmonë gati për të qarkulluar mbi qiellin e “Appianos”, duhet parë më konkretisht një fakt thelbësor: elementi bashkues i kësaj jave të tmerrshme zikaltër ka qenë mungesa e sulmuesit francez Markus Turam.
Me të në fushë, Interi është një skuadër; pa të, është një tjetër, dhe ndryshimi është i jashtëzakonshëm. Me Markus në fushë, mesatarja e pikëve shkon në 2.2, ndërsa pa të bie në 1. Edhe mesatarja e golave të shënuar ndjek të njëjtën linjë: 2.3 gola për ndeshje me Turamin nga minuta e parë dhe vetëm 0.3 pa të. Edhe Lautaro nuk është i njëjti. Me Markusin në fushë, ai sillet ndryshe dhe shënon më shumë, ndërsa pa të është si peshku pa ujë.
E vuan shumë mungesën e “binjakut” të tij në repartin e avancuar. Megjithëse tashmë ishte e qartë që Taremi dhe Korrea nuk garantonin aspak siguri dhe që edhe Arnautoviç kishte pak për të dhënë, në janar drejtuesit dhe pronarët vendosën të mos ndërhynin. Rezultati? Në sprintin final, Inzagi mbeti me dy sulmues, të vetmit të nivelit të lartë — të lodhur dhe/ose të dëmtuar. Por, kjo është një çështje që meriton një analizë më të thelluar, e cila ndoshta do të trajtohet më vonë.
RIKUPERIMI- Tani është koha për të bashkuar forcat dhe për të shpresuar që rikuperimi i Turam-it (por edhe ai i Dumfries, që u rikthye me Romën) të ndodhë në kohë për transfertën e Barcelonës. Francezi, por siç u tha, edhe holandezi, janë dy gurë thelbësorë për ta mbajtur gjallë shpresën për një gjysmëfinale Champions-i “të luajtshme”, pavarësisht forcës së padiskutueshme dhe superioritetit të blaugranave dhe formës psikofizike aktualisht shumë më të mirë të tyre në krahasim me Interin.
Dj Markus ka punuar sërish i vetëm, por ka zhvilluar një seancë të dytë stërvitore me intensitet të lartë (pas asaj të së dielës), duke testuar me sukses edhe ndryshimet e ritmit dhe të drejtimit për të provuar gjendjen e muskulit të lodhur. Nëse përparimet e sotme do të konfirmohen nesër në stërvitjen përfundimtare, ai do të udhëtojë drejt Barcelonës dhe do të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar në “Montjuiç”. Stafi mjekësor është optimist, Inzagi shpreson fort. Rikuperimi i tij është jetik.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL