Barcelona ndodhet në pjesën e fundit të sezonit në pozita mjaft premtuese për të arritur një objektiv që ndoshta në nisje të tij nuk ishte në planet e klubit: tripletën.Të shtunën në mbrëmje, katalanasit kanë munur Realin e Madridit duke fituar Kupën e Mbretit. Nesër në mbrëmje do të përballen në gjysëmfinalen e parë të Ligës së Kampioneve kundër Interit. Ndërkohë që kryeson kampionatin në Spanjë me 4 pikë më shumë se Reali me 5 takime të mbetura deri në fund. Por Barcelona është gjithashtu në garë për atë që do të ishte e treta e tyre në kategorinë e femrave.
Të dielën u kualifikuan në finalen e Champions League për femra, të cilën do ta luajnë në Lisbonë kundër Arsenalit më 24 maj, tetë ditë para turneut të meshkujve. Klubi i Barcelonës është në ballë në të gjitha frontet evropiane. Skuadra e parë ka ende një pengesë për të kaluar për të kaluar në finalen e Champions League. Flik ishte plot lëvdata për tifozët që kishin zbarkuar në “La Cartuja” (Sevilje) për finalen e Kupës dhe buzëqeshi kur u pyet për një vizitë të mundshme masive në Mynih përsëri.
“Kemi edhe dy ndeshje për ta bërë këtë”, komentoi ai. Fituesit e “Copa del Rey” kanë lënë pas festën për Kupën e Mbretit dhe gjithçka është fokusuar tek Interi që duket në krizë, por që në Barcelonë nuk e besojnë. Në çdo rast, Barcelona pret një kundërshtar të vështirë dhe të komplikuar për të arritur në finale. Sido që të jetë, pas fitores në Kupë, fjala “tripletë trofesh” është më pak tabu. Përpara janë pesë ndeshje të Ligës dhe tri ndeshje të Champions League (nëse arrijnë në finale). Domethënë, një rrugë me tetë pengesa.
MARKA “LA MASIA” – Barcelona është në modë. Jo vetëm për paraqitjen e shkëlqyer të ekipeve në kompeticionet e UEFA-s, por edhe për projektin joshës të trajnerit Hansi Flik, i cili po magjeps Evropën me rininë, guximin dhe cilësinë e lojës. Ky është një brez që ka markën “La Masia” dhe po merr përsipër të pasojë një brez ndoshta të papërsëritshëm si ajo i formuar nga Mesi, Ksavi, Iniesta, Buskets, Pujol… Këto janë padyshim fjalë të mëdha, por rruga ka nisur. Jamal, Balde, Gavi, Fermin Lopez, Kubarsi, Kasado, Erik Garsia dhe gjithashtu Dani Olmo … u rritën në “La Masia” dhe janë shumë të rinj, por tashmë kanë një karrierë të gjatë ndërkombëtare pas tyre. Te Barça e Flik, ata joshin me futbollin e tyre dhe identifikimin e tyre me klubin. E diela shënoi fundin e festës së shkurtër të “Copa del Rey” dhe dje shënoi fillimin e përgatitjeve për sulmin e radhës në Ligën e Kampioneve në ndjekje të një titulli tjetër dhe me synimin për të vazhduar të emocionojë tifozët dhe të joshë profesionin e futbollit.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL