Mbrojtësi i Arsenalit, Majls LjuisSkeli, beson se “Topçinjtë” janë gati për sfidën ndaj PSG-së në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, falë “gjeniut” të tyre, trajnerit Mikel Arteta.Arsenali po përgatitet për një natë të veçantë në “Emirates Stadium”, teksa pret ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampioneve kundër kampionëve të Francës. Anglezët nuk kanë luajtur në një gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve që nga viti 2009, ndërsa paraqitja e tyre e vetme në finalen e madhe të kësaj gare ishte tri vite më herët, kur u mposhtën 2-1 nga Barcelona. Ljuis-Skeli, i cili ka pasur një sezon të shkëlqyer debutimi në Londrën Veriore, këmbëngul se skuadra është gati për sfidën ndaj PSG-së dhe thotë se nuk do të ketë “asnjë justifikim” para ndeshjes.
“Si ekip, jemi të përgatitur dhe jemi gati”, tha talenti i akademisë gjatë një interviste për “Sky Sports”.
“Jemi në formë të mirë aktualisht dhe jemi shumë të entuziazmuar për të luajtur kundër PSG-së, sepse edhe ata janë në formë të mirë. Do të jetë një sfidë e mirë për ne, sepse ata kanë skuadër të plotë dhe janë në formë. Nuk ka justifikime para kësaj ndeshjeje. Ne jemi gati”.
Vetëbesimi i 18- vjeçarit lidhet shumë me trajnerin e Arsenalit, Arteta. Adoleshenti lavdëroi vëmendjen e Artetës ndaj detajeve dhe theksoi se ka shumë për të mësuar prej tij.
“Vëmendja e tij ndaj detajeve është e pabesueshme”, tha ai.
“Më pëlqen të mësoj, prandaj të mësosh nga ai dhe nga mënyra si e menaxhon dhe u qaset ndeshjeve është diçka mahnitëse. Ka aq shumë gjëra që mund të marrësh nga ai. Është vërtet një gjeni”.
Një pjesë e procesit të mësimit për të ka qenë përshtatja në një rol të ri. Ngjitja e tij e jashtëzakonshme këtë sezon ka ardhur në pozicionin e mbrojtësit të majtë, ndonëse ai kishte dalë nga akademia e Arsenalit si mesfushor dhe është një rrugëtim që ai e ka shijuar.
“Ka qenë një proces i lehtë, sepse më pëlqen të mësoj dhe të përmirësohem”, vijoi ai.
“Mua më pëlqen të mësoj dhe të bëj pyetje. Nëse nuk e di ende përgjigjen, do të sigurohem që ta bëj pyetjen. Ishte një proces i qetë për mua, sepse, megjithëse jam mesfushor me profesion, pozicioni nuk ishte krejtësisht i panjohur për mua. E kam shijuar shumë”. Por a i mungon të luajë në mesfushë?
“Falë stilit tonë të lojës, herë pas here shkoj brenda në mesfushë. Unë do të luaj aty ku trajneri ka nevojë për mua dhe është shumë e rëndësishme të jesh i gjithanshëm. Lojtarët më të mirë në botë janë në gjendje të luajnë në pozicione të ndryshme. Kështu që unë, do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të qenë pjesë e skuadrës”.
PANORAMASPORT.AL