Liverpuli ka fituar titullin e Premier Ligës pas një sezoni fantastik me Arne Slot në krye të ekipit.Por, ka ende disa rekorde që “Reds”-at mund t’i thyejnë deri në fund. Fitorja e së dielës ndaj Totenhemit, vetëm disa ditë pasi Arsenali barazoi me Palasin, e ka bërë zyrtare që askush nuk mund ta kapë më Liverpulin në renditje. Ka qenë një sezon i shkëlqyer për Slot, i cili fiton titullin e Premier Ligës në përpjekjen e tij të parë, pasi mori drejtimin nga Jyrgen Klop më pak se 12 muaj më parë. Me katër ndeshje ende për të luajtur, Liverpuli ka mundësinë të thyejë disa rekorde…
MË SHUMË TITUJ TË FITUAR – Siç mund ta dini tashmë, ky është titulli i 20-të i Liverpulit, çka do të thotë se “Reds”-at u barazuan me Junajtid për numrin e titujve të fituar. Liverpuli ka avantazh ndaj rivalit të tij sa i përket numrit total të trofeve madhorë dhe do të shpresojë që sezonin tjetër të fitojë titullin e 21-të dhe të “rikthehet në majë”, siç do të thoshte Sër Aleks Ferguson.
MË SHUMË PIKË NË NJË SEZON – Fatkeqësisht, ky rekord ka kaluar prej kohësh. Edhe nëse Liverpuli i fiton të gjitha ndeshjet e mbetura, do ta mbyllë sezonin me 94 pikë, një shifër për t’u respektuar. Megjithatë, ata nuk do të jenë në gjendje të thyejnë rekordin e pikëve më të shumta në një sezon të Premier Ligës, të cilin e mban ende Siti, me 100 pikë në sezonin 2017-18. Liverpuli iu afrua kësaj shifre, duke përfunduar sezonin 2019-20 me 99 pikë.
DIFERENCA MË E MADHE E PIKËVE – Ky është një tjetër rekord që aktualisht mbahet nga Siti, pasi ata fituan titullin e 2017-18 me 19 pikë më shumë se Junajtid. Liverpuli ishte pranë thyerjes së këtij rekordi, duke fituar titullin në 2019-20 me një diferencë prej 18 pikësh. Këtë sezon, mund të jetë momenti që Liverpuli ta thyejë këtë rekord. Pas fitores ndaj Totenhemit, skuadra e Slotit qëndron 15 pikë përpara Arsenalit me 4 ndeshje të mbetura. Dhe me Arsenalin e fokusuar në Champions, diferenca mund të rritet edhe më shumë.
MË SHUMË FITORE NË NJË SEZON – Edhe ky rekord është jashtë mundësive të Liverpulit këtë sezon. Liverpuli mund ta përfundojë sezonin me 29 fitore, por kjo e lë ende larg rekordit për fitoret më të shumta në një sezon. Ky rekord ndahet nga skuadrat e Sitit të sezoneve 2017-18 dhe 2018-19 si edhe Liverpuli i sezonit 2019-20, të cilat arritën nga 32 fitore secila.
REKORDET E GOLAVE – Liverpuli nuk do të arrijë rekordet e golave të shënuar në një sezon, pavarësisht fitores së thellë ndaj Totenhemit. Aktualisht ata kanë shënuar 80 gola dhe do të duhej një mrekulli që të kapnin shifrën rekord prej 106 golash të vendosur nga Siti në 2017-18. Por, ekziston një shans i vogël që Liverpuli të thyejë rekordin për më shumë gola të shënuar jashtë fushe në një sezon. Ky rekord mbahet nga Liverpuli i Brendën Roxhersit në 2013-14, me 48 gola jashtë fushe (aktualisht Liverpuli ka shënuar 41 gola në transfertë) dhe ka edhe dy transferta kundër Çelsit dhe Brajtonit.
REKORDET E SALAHUT – Nuk është vetëm skuadra që po ndjek rekorde, por edhe Mohamed Salah është pranë historisë. Pasi theu rekordin për më shumë kontribute në gola në një sezon, Salah është vetëm dy asiste larg barazimit të rekordit të Tieri Henrisë dhe Kevin De Bryjnes për 20 asiste në një sezon. Ekziston edhe një shans i vogël që ai të thyejë rekordin e Halandit me 36 gola në një sezon të vetëm, megjithëse do të duhej të shënonte edhe 8 gola në javët e mbetura, diçka jo e pamundur për egjiptianin, edhe pse e vështirë.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL