Pas një ndalese të hidhur në Parma, Juventusi është rikthyer në rrugën e duhur dhe ka shmangur një tjetër rrëshqitje që mund t’i kishte kushtuar shtrenjtë.
Me vetëm katër ndeshje të mbetura dhe 12 pikë në lojë, gara për vendin e katërt, të fundit që garanton kualifikimin në Champions, është e hapur dhe më e ndezur se kurrë. Sfida e vërtetë për “Zonjën e Vjetër” do të luhet në dy javët e ardhshme, ku përballjet direkte kundër Bolonjës dhe Lacios në transfertë pritet të jenë vendimtare. Pikët e këtyre takimeve peshojnë dyfish, pasi janë kundërshtarë të drejtpërdrejtë në garën për Europën.
OBJEKTIVI- Kualifikimi në Champions nuk është thjesht çështje prestigji, por një domosdoshmëri ekonomike dhe strategjike. Mungesa e saj mund të detyrojë klubin të shesë lojtarë kyç dhe të rishikojë gjithë strukturën teknike dhe drejtuese. E ardhmja e trajnerit Igor Tudor varet gjithashtu nga arritja e këtij objektivi, pasi pa vendin e katërt, rinovimi i tij mbetet shumë i pasigurt.
KUNDËRSHTARËT- Përballë qëndrojnë katër kundërshtarë me objektiva të ndryshëm. Bolonja dhe Lacio që luftojnë për Champions, Udineze që nuk ka më objektiva dhe Venecia që po përpiqet të shmangë rënien nga kategoria. Tri nga katër përballjet do të luhen jashtë fushe, duke e bërë misionin e Juventusit edhe më të ndërlikuar.
SULMI- Igor Tudor ka rikthyer në formë dy nga armët e tij sulmuese, Kolo Muani dhe Niko Gonzalez, por lista e mungesave mbetet shqetësuese. Jildiz pritet të mungojë, me Vlahoviçin që mbetet në dyshim, ashtu si edhe Gati e Kopmeiners. Kësaj liste i shtohet edhe Loid Keli. Në këto kushte, mbështetja e tifozëve dhe përkushtimi maksimal i lojtarëve në fushë janë thelbësorë.
FATI- Juventusi e ka në dorë fatin e vet. 12 pikë do të thoshin Liga e Kampioneve dhe qetësi për të ardhmen. Por në një sezon ku vazhdimësia ka munguar, pritet të shihet nëse bardhezinjtë do dinë të përballen me presionin. Gara është e hapur, por gabimet nuk falen më. “Fino alla fine”, tani është më shumë se një slogan, është një kusht për të shpëtuar sezonin.
PANORAMASPORT.AL