Napoli rikthehet të ëndërrojë titullin kampion, duke përfituar nga hapi tjetër fals i Interit. Nëse skuadra e Inzagit gabon, ajo e Kontes ruan përqendrimin maksimal dhe i afrohet, hap pas hapi, asaj që deri pak javë më parë ishte pothuajse e vështirë të imagjinohej e të shqiptohej: titullit kampion, që tani duket i arritshëm për napolitanët.
Për më tepër, këta të fundit kanë një kalendar më të lehtë në letër. Në Napoli nuk kanë frikë dhe kanë nisur të shesin shallin me numrin 4 të stampuar, të përkthyer në 4 tituj. Katër finale ose më mirë katër hapa, siç preferon t’i quajë trajneri nga Salento, të cilat nuk duhet t’i gabojnë për të hyrë sërish në histori. Ka nga ata që qajnë dhe nga ata që festojnë.
Megjithatë, për të qenë të saktë, në shtëpinë e Napolit nuk është ende momenti për festime. Por një gur i parë, në natën më të rëndësishme të deritanishme të sezonit të kampanëve, u vendos. Me një provë karakteri erdhi fitorja ndaj Torinos, pak orë pas humbjes së Interit kundër Romës, një përgjigje e menjëhershme e Kontes ndaj Inzagit. Sepse, në një kampionat kaq të balancuar si ky, askush nuk fal dhe në pak javë Napoli ka treguar një egërsi të jashtëzakonshme.
Në “Fuorigrota” dhe rrethinat e saj, të përmendsh fjalën “titull” nuk është më tabu, sepse të besuarit e Kontes kanë rikthyer në qytet dhe në stadiumin “Maradona” atë entuziazëm që kishte humbur sezonin e kaluar në një vit zhgënjyes si ish-kampionë.
Me trajnerin nga Salento ka ardhur soliditeti dhe një instinkt për të shënuar që nuk i fal kundërshtarët. Sepse, kur golashënuesi më i mirë është Lukaku, ka vend për lavdata, por nëse shton edhe një MekTominay të pazëvendësueshëm me ndjesi të jashtëzakonshme për golin (11 gola) dhe një Angisa (6 gola) gjithmonë prezent në zonën ofensive, atëherë kuptohet se cilat janë armët sekrete të këtij Napoli.
PANORAMASPORT.AL