Nëse pyesni Hansi Flikun dhe Simone Inzagin, sigurisht që nuk do të donin të përballeshin me njëri-tjetrin në këto kushte dhe me mungesa. Barcelona dhe Interi kanë arsye për t’u ankuar, për lodhjen dhe për formën e tyre, por në fund të fundit është një gjysmëfinale Championsi dhe nuk ka vend për alibi.
Në radhët e katalanasve ka disa mungesa, si Levandovski, Balte, Bernal dhe Kasado. Pavarësisht se polaku dhe anësori i majtë kanë përparuar mirë me rikuperimin e tyre, Flik nuk ka ndërmend që t’i rrezikojë apo të sforcojë rikthimin në fushën e lojës.
Nuk dëshiron që të shkaktojë një tjetër dëmtim për ta në momentin më kyç dhe vendimtar të sezonit. Kështu që ai do të konfigurojë në 4-2-3-1 me Ferran Torresin në majën e sulmit dhe me treshen Rafinja-Jamal dhe Fermin për ta mbështetur. Përpara mbrojtjes do të jenë Pedri dhe De Jong, ndërsa mbrojtja si gjithmonë me Kunde, Kubarsi, Injigo Martinez dhe Martin.
INTERI- Simone Inzagi shpreson që ta ketë në 100% të formës Markus Turamin, i cili ka kryer stërvitje të plotë me grupin dhe ka dhënë përgjigje pozitive nga dëmtimi muskulor. Megjithatë, vetëm sot do të vendoset nëse do të luajë si titullar. Përkrah tij si gjithmonë Lautaro, për ta nisur nga sulmi. Në krahë ekzistojnë dilemat për t’i besuar Karlos Augustos, që jep më shumë garanci në fazën mbrojtëse, apo Dimarkos që shtyn më shumë përpara.
Edhe djathtas, Dumfris duhet të shtrëngojë dhëmbët, edhe pse nuk është në 100% të formës. Holandezi mund të jetë lojtari ideal për të fituar gjerësinë dhe për të kapur ndoshta në befasi prapavijën e Barçës, që qëndron e vendosur shumë lart. Në rast se jo, Darmian mund të japë më shumë siguri për mbrojtjen. E sigurt është mungesa e Pavarit në mbrojtje, e cila do të zëvendësohet nga Bisek, ndërsa pjesa tjetër është me më të mirët.
PANORAMASPORT.AL