Kajl Uoker, mbrojtësi anglez i Milanit, foli në podkastin e “BBC”-së që mban emrin e tij rreth mënyrës se si ushqehen njerëzit në Itali dhe vëmendjes që një atlet duhet t’i kushtojë ushqyerjes së duhur.
“Duhet të jesh i disiplinuar. Ushqimi në Italia është fantastik. Shijet janë unike. Edhe një copë bukë është e mirë. Sidomos ushqimi në ‘Milanello’ është i pabesueshëm. E marr gjithmonë me vete në hotel dhe nuk kam pse të kërkoj shërbim në dhomë. Sot bënë një makarona me pesto. Edhe domatet janë shumë të shijshme në Itali”, zbuloi Uoker.
Numri 32 i “Djallit” më pas vazhdoi: “ Te Milani na peshojnë çdo ditë. Pesha nuk mund të ndryshojë nga sot nesër. Edhe nëse del dhe ha një picë të madhe ose një biftek, pesha nuk do të jetë shumë e lartë, kështu që të pyesin: ‘Çfarë ke bërë?’ ose: ‘Çfarë ke ngrënë?”. Më pas, Uoker përfshiu edhe trajnerin Serxho Konseisao, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj çështjes së ushqyerjes së lojtarëve kuqezi
. “Nëse ke dy ose tri ditë pushim, duhet të jesh pak i kujdesshëm, sepse trajneri dëshiron ta mbajë peshën tonë sa më të ulët. Kështu e ka futbolli profesionist në ditët e sotme. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që çdo detaj, sado i vogël, është i rëndësishëm”, përfundoi deklaratën e tij mbrojtësi anglez i Milanit.
PANORAMASPORT.AL