Ku po shkon Tomas Myler? Një kapitull historik te Bajerni i Mynihut po përmbyllet. Veterani 35-vjeçar, kampion bote dhe legjendë e “Rekordmeister”-it, nuk do të luajë më për Bajernin sezonin e ardhshëm.
E ardhmja e sulmuesit gjerman është ende e paqartë, por një pistë po bëhet gjithnjë e më e nxehtë: bëhet fjalë për Los Anxheles FC në SHBA.
Pse LAFC? Klubi amerikan është i lidhur ngushtë me gjigantin bavarez përmes projektit të famshëm “Red & Gold”, i cili synon zhvillimin e talenteve në SHBA. Dhe sipas gazetarit Tobias Altshefël, Mylerit i është ofruar tashmë një shtëpi në një nga zonat më luksoze në lagjen “Beverly Hills”, vetëm 30 minuta nga fusha e stërvitjes.
Bashkëpronari i Los Anxhelesit dhe njëkohësisht legjenda e basketbollit Mexhik Xhonson mund të luajë rol kyç, pasi Myler është tifoz i flaktë i basketbollit. Liga amerikane e futbollit kërkon një emër të madh që tërheq vëmendjen dhe Myler, me karizmën dhe përvojën e tij, shihet si “ylli ideal”. Drejtori i kampusit të Bajernit të Mynihut, Johen Zauer, thuhet se ka prezantuar projektin para Mylerit në mënyrë të detajuar për ta bindur.
MLS është gati për ta finalizuar këtë projekt dhe tani topi është në fushën e sulmuesit. Myler, i cili kohët e fundit ka theksuar vazhdimisht se sa shumë dëshiron të shijojë momentet e tij të fundit te Bajerni, me sa duket nuk është ende gati të varë këpucët e futbollit në gozhdë. Një lamtumirë me Mynihun po afron, por në prag të fundit të karrierës së tij, një fazë e re e jetës e thërret në anën tjetër të Atlantikut, në një qytet ku yjet dhe spektakli janë pjesë e jetës së përditshme.
Zauer konsiderohet si një nga arkitektët e biznesit ndërkombëtar të Bajernit dhe tashmë u ka mundësuar lojtarëve si Çupo-Moting të kalojnë në MLS. Myler do të ishte figura “par excellence”, një kampion bote, një i preferuar i publikut dhe një nga futbollistët gjermanë më të famshëm në botë. Edhe pse Çikago Fajër dhe Visel Kobe në Japoni kanë shprehur interes për të siguruar firmën me të, të gjitha shenjat duket se çojnë në Los Anxheles. Dy gazetarët e “BILD”-it, Kristian Falk dhe Tobi Altshefl, gjithashtu vunë bast për këtë në podkast: “Nëse ai vazhdon të luajë, do të jetë në Los Anxheles”.
PANORAMASPORT.AL