Një epokë e basketbollit amerikan ka marrë fund. Gregg Popovich, trajneri më jetëgjatë dhe më i suksesshëm në historinë e NBA-së, ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit kryesor të San Antonio Spurs, pas plot 29 sezonesh në krye të skuadrës.
Lajmin e konfirmoi vetë klubi të premten, duke njoftuar gjithashtu se Popovich, 76 vjeç, do të vijojë karrierën e tij si president i operacioneve të basketbollit në organizatën e Spurs.
Popovich mban rekordin për më shumë fitore në sezonin e rregullt në NBA – plot 1,422 ndeshje të fituara – dhe ka udhëhequr Spurs drejt pesë titujve kampionë, për herë të fundit në vitin 2014.
“Ndërsa dashuria dhe pasioni im për lojën mbeten, kam vendosur që është koha të largohem si trajner kryesor,” – tha Popovich. “Jam përjetësisht mirënjohës ndaj lojtarëve, stafit dhe tifozëve të mrekullueshëm që më lejuan t’u shërbej atyre për kaq gjatë. Tani mezi pres të vazhdoj të mbështes këtë organizatë dhe komunitetin që më ka dhënë kaq shumë.”
Popovich nuk u pa në pankinë në fund të sezonit, pasi në nëntor pësoi një goditje të lehtë në tru. Gjatë mungesës së tij, Spurs nuk arritën të sigurojnë një vend në play-off, duke e përfunduar sezonin 2024-25 me bilancin 34 fitore dhe 48 humbje – zgjatja e një mungese në fazën pas sezonit që nga viti 2019.