Ruben Amorim thotë se nuk do të marrë asnjë rrezik me gjendjen fizike të lojtarëve të Mançester Junajtid për ndeshjen e somte në Premier Ligë ndaj Brentfordit.
“Djajtë e Kuq” kthehen nga Bilbao me një rezultat të shkëlqyer 3-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Europës, por e dinë që puna nuk ka përfunduar ende dhe ndeshja e kthimit zhvillohet të enjten në “Old Trafford”.
Trajneri Amorim theksoi se Liga e Europës është prioriteti kryesor, por gjithsesi udhëtoi me një skuadër prej 26 lojtarësh drejt Spanjës për t’u përgatitur për ndeshjen që luhet sot, në orën 14:00, me orën britanike, në stadiumin “Gtech Community”. Të rinjtë Herri Amas, Tajler Fredrikson, Xhaidan Kamason, Bendito Mantato dhe Kido Obi mund të jenë pjesë e skuadrës pas udhëtimit në Spanjë. Por Nuser Mazraui është përjashtuar pasi u detyrua të largohej nga ndeshja në “San Mamés”. Amorim, në konferencën për shtyp para ndeshjes, deklaroi: “Gjëja e parë është se lojtarët që rrezikojnë të dëmtohen, nuk do të luajnë. Pa marrë parasysh asgjë. Duhet të marrim një rrezik në këtë drejtim.
Më pas do të vlerësojmë ditën tjetër se cilët janë lojtarët më të volitshëm për të nisur ndeshjen. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse jemi Mançester Junajtid dhe nuk mund të hyjmë në një ndeshje pa besuar se mund ta fitojmë. Procesi do të jetë kështu. Do të jetë e vështirë, por kemi kaluar shumë këtë sezon. Edhe kjo është një tjetër sfidë. Do të shohim”.
Mazraui, që luajti si mbrojtës i djathtë me tipare sulmuese, do të pushojë. Ndërkohë, Diogo Dalot është gjithashtu jashtë për shkak të një problemi në pulpën e këmbës. Amorim shtoi: “Ka disa pozicione ku nuk kemi më lojtarë. Për shembull, Nus Mazraui nuk mund të luajë. Ai është në limitin e dëmtimit”.
PANORAMASPORT.AL