Robert Levandovski është rikuperuar dhe do të jetë i disponueshëm për të luajtur për Barcelonën nesër në mbrëmje kundër Interit, ndeshja e kthimit e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve që do të luhet në “San Siro” pas barazimit spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë.
Qendërsulmuesi polak është rikuperuar nga problemi muskulor dhe dje ishte me skuadrën në stërvitje, duke treguar që është gati të vendoset nën urdhërat e Hansi Flik. Alejandro Balde, lojtari tjetër i dëmtuar që katalanasit shpresonin ta rikuperonin, mbetet jashtë. Barcelona ka publikuar në faqen e zyrtare lojtarët që do të udhëtojnë drejt Italisë.
Ndërsa pret seancën e fundit stërvitore dhe konferencën për shtyp në orën 17:15, trajneri Flik duket se tashmë ka një ide të qartë për formacionin titullar që do të dalë në fushë në “San Siro”. Shezni do të jetë përsëri në portë, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Injigo Martinez dhe Kubarsi në qendër, me Erik Garsia në të djathtë në vend të Kunde të dëmtuar dhe Gerard Martin në të majtë. Në mesfushë, dyshja Pedri dhe De Jong, me Dani Olmon disa metra më tej përpara që vepron si mesfushor sulmues me Rafinja dhe Lamine Jamal në krahë. Dyshimi është nëse Leva apo Ferran Torres do ta nisë titullar.
BRIKENA BISKU-PANORAMASPORT.AL