Është vetëm e martë dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë deri të dielën, kur Reali dhe Barcelona të përballen mes tyre në “Montjuiç” në “El Clasico”-n që mund të vendosë titullin në La Liga.Por trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, e ka ndarë në mendjen e tij se me çfarë lojtarësh do të paraqitet në duelin-titull. Koha e eksperimenteve ka mbaruar dhe të gjithë ata që do të jenë në fushë duhet të japin gjithçka nëse vërtet duan të ruajnë kurorën e fituar në sezonin e kaluar. Për këtë ndeshje, Ançeloti do të rikuperojë vetëm Rodrigon, një nga lojtarët e dëmtuar që ka. Braziliani u la jashtë kundër Seltës për shkak të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore dhe, përveç ndonjë surprize, do të jetë në dispozicion të italianit për “El Clasicon”.
Rodrigo është një nga lojtarët në dyshim në formacionin titullar të Madridit për të luajtur kundër Barcelonës. Braziliani, i cili është kritikuar shumë në javët e fundit për performancën e tij, po sfidohet nga Arda Gyler për një vend në formacionin titullar. Megjithatë, duke gjykuar nga performanca e të dyve, turku është përpara brazilianit kur bëhet fjalë për ta nisur nga minuta e parë. Megjithatë, vendimi i italianit për njërin mes Rodrigos dhe Arda Gylerit do të varet jo pak nga rreshtimi që ai do të zgjedhë. Nëse ai e ruan formacionin 4- 4-2 të ndeshjeve të fundit, turku do të ishte titullar, por nëse kalon në 4-3-3, braziliani ka më shumë mundësi ta nisë nga minuta e parë.
Ky është dyshimi i madh që ka Ançeloti. Por nuk është i vetmi. Tjetri ka të bëjë me mesfushën. Ançelotit i duhet të vendosë se cili do të jetë titullar në mesfushë, Sebajos ose Modriç. Në ndeshjet e fundit, trajneri i Realit ka zgjedhur andaluzianin, për ta futur kroatin në lojë në pjesën e dytë. Diçka që mund të përsëritet këtë të diel në Barcelonë. Pjesa tjetër e skuadrës duket se është kristalizuar. Përjashto ndonjë surprizë të orës së fundit e që më shumë ka të bëjë me ndonjë dëmtim të papritur, në fushë pritet të shohim pjesën dërrmuese të lojtarëve që fundjavën që lamë pas mundën Selta Vigon 3-2.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL