Ish-gjyqtari i njohur spanjoll, Eduardo Iturralde Gonzalez ka shpjeguar reagimin e gjyqtarëve të VAR-it ndaj golit të anuluar nga Fermin Lopez i Barcelonës në El Clasicon ndaj Real Madridit.
Më 11 maj, Barcelona mposhti Real Madridin me rezultatin 4-3 në El Clasicon e dytë të sezonit, të vlefshme për xhiron e 35-të të La Ligës.
Në minutën e pestë të kohës shtesë, Fermin Lopez shënoi atë që dukej të ishte goli i pestë i Barcelonës.
Megjithatë, gjyqtari Alejandro Hernandez Hernandez e anuloi golin pasi shqyrtoi pamjet filmike, duke vënë re se gjatë sulmit për shënimin e golit, topi kishte goditur dorën e Ferminit ndërsa ai po luftonte me Federico Valverden.
Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) publikoi detajet e bisedës midis gjyqtarëve në lidhje me këtë incident dhe aty zbulua se njëri prej gjyqtarëve tha: “[Dora] është ngritur, falë Zotit. Po, pikërisht”.
“A e dini pse mund të ketë ndodhur kjo? Sepse ka tre persona në dhomën e VAR-it. Ai që duhet ta kishte parë [momentin] nuk e pa, por tjetri po”, ka thënë fillimisht ish-gjyqtari Eduardo Iturralde Gonzalez.
“Njëri po shikon nga një kamera, tjetri nga një tjetër. I pari, i cili duhej ta kishte kontrolluar, nuk e pa, dhe i dyti e vuri re dhe tha nga zemra: ‘Dreq, faleminderit Zotit që e pamë dorën’”, përfundoi Iturralde.