Në një moment delikat për Juventusin, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në ambientin e brendshëm të skuadrës, emri i Duglas Luiz rikthehet në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për performancat sportive, por për deklaratat e bujshme në rrjetet sociale që kanë ndezur debat brenda dhe jashtë klubit torinez.
Mesfushori brazilian, i transferuar me shumë pritshmëri nga Aston Vila, nuk ka arritur të gjejë hapësirat e dëshiruara nën drejtimin e trajnerit Igor Tudor. Aktivizimi me pikatore në javët e fundit ka bërë që Luiz të shfaqë hapur pakënaqësinë e tij, fillimisht përmes një postimi në “Instagram”, dhe së fundmi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në platformën “Twitch”, ku deklaratat e tij kanë shkaktuar jo pak polemika.
I pyetur nga ndjekësit në rrjet, Duglas Luiz nuk ngurroi të shprehte mallin për eksperiencën e tij të mëparshme në Angli. “Më mungon Aston Vila, djema. Më mungon të luaj në ‘Vila Park’, më mungon gjithçka. Ai vend është gjithmonë në zemrën time”, u shpreh ai me sinqeritet, por edhe me një ton që ka ngritur më shumë se një vetull në ambientin bardhezi.
Megjithatë, pasi pa reagimin e gjerë të mediave dhe opinionit publik, Duglas Luiz është përpjekur të zbusë tonin me një reagim sqarues. “Fola për Aston Vilën si një vend ku jam ndier mirë dhe ku jam rritur si futbollist. Më ka pëlqyer shumë ajo periudhë, por nuk kam thënë asnjëherë se dua të kthehem. Mos më keqkuptoni! Dua Juventusin dhe jam i përqendruar në objektivat tona”, tha Duglas Luiz për të sqaruar dhe shtensionuar situatën e ditëve të fundit.
PANORAMASPORT.AL