Mbrojtësi spanjoll Marc Cucurella i ka thënë bashkëlojtarëve të tij të Chelsea se duhet të përballojnë presionin e garës së fortë që po ofron Premier League për të siguruar një vend në Champions League sezonin tjetër.
Skuadra londineze aktualisht është në vendin e pestë, të fundit që të kualifikon në Champions, me pikë të barabarta me Aston Villa dhe një pikë para Nottingham Forest. Ndërkohë që janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur në kampionat.
“Çdo ndeshje në këtë Ligë është e vështirë dhe tabela e renditjes konfirmon këtë gjë, pasi jemi 5 skuadra që luftojmë.
Kjo është një nga Ligat më të mira në botë”, u shpreh Cucurella, 4 gola në 34 ndeshje këtë sezon në kampionat.
“Ne po përgatitemi për këtë dhe duhet të tregojmë se mund të luajmë nën presion nëse duam të arrijmë objektivat tona.
Ne duhet të luajmë lojën që kemi planifikuar dhe të tregojmë se jemi gati të luajmë në këto lloj nivelesh”, tha Cucurella.
Skuadra e Chelsea, drejtuar nga trajneri Enzo Maresca, do të presë Manchester United të premten në mbrëmje në “Stamford Bridge” para përballjes me Forest në javën e fundit, jashtë fushe.