Një epokë e re po lind në shtëpinë bardhezi. Juventusi po përgatitet për sezonin e ardhshëm me ndryshime të thella në të gjitha nivelet. Në fushë, në pankinë dhe mbi të gjitha në drejtimin e klubit.Në pritje të emërimit të trajnerit të ri dhe pas prezantimit të sponsorit të ri të fanellës, klubi torinez përballet me një tjetër lëvizje të rëndësishme, largimin e Françesko Kalvos, i cili pritet të transferohet tek Aston Vila. Kalvo, i cili ka mbajtur postin e drejtorit menaxhues për të Ardhurat dhe Zhvillimin e Futbollit, ka qenë një figurë kyçe në strukturën e Juventusit. Dalja e tij nga skena hap rrugën për një përfshirje më të madhe të Xhorxho Kielinit në jetën sportive të klubit.
Deri tani, ish-kapiteni historik i “Zonjës së Vjetër” ka pasur një rol më shumë simbolik, por tani mund të bëhet një pikë referimi në menaxhimin e përditshëm sportiv të skuadrës, një shpresë që mbahet gjallë te shumë tifozë juventinë, edhe pse vetë Kielini vazhdon të ruajë një profil të ulët. Largimi i Kalvos do të thotë gjithashtu një vend bosh në Këshillin Federal të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), një tjetër skenë ku figura e Kielinit shihet si ideale për të rikthyer peshën politike dhe mediatike të Juventusit, e cila ka munguar dukshëm në vitin e fundit. “Kielini? Është me ne prej një viti, po punon shumë mirë dhe me kohën do të rritet edhe më shumë. Për perspektivat e së ardhmes, le t’i japim kohë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Juventusit, Mauricio Skanavino.
RISITË- Por Kielini mund të mos jetë i vetmi emër i ri në organigramën bardhezi. Klubi është në kërkim të një drejtori sportiv që do të punojë krah për krah me Kristiano Xhuntolin. Deri më tani bëhet fjalë vetëm për thashetheme, por një ndër emrat më të përfolur është ai i Frederik Masaras, ish-drejtor sportiv i Milanit, një profil në rritje të vazhdueshme. Një tjetër alternativë është Mateo Tognoci, ish-zbulues i talenteve, si: Sule, Hauzen dhe Jildiz, i cili mund të rikthehet pas një eksperience në klubin spanjoll Granada. Në këtë fazë tranzicioni, Juventusi po tenton të ndërtojë një strukturë të re që do të vendosë bazat për të ardhmen. Një identitet i ri, me figura të njohura, por me role të reja, një përzierje tradite dhe rinovimi që synon të rikthejë klubin në majat e futbollit italian dhe europian.
PANORAMASPORT.AL