Italia mban frymën. Sot luhen 90 minutat vendimtare ku Napoli dhe Interi në distancë do të garojnë për fronin e Serisë A.Antonio Konte dhe Simone Inzagi pas një rivaliteti të gjatë, mes ironive dhe batutave do të mësojnë se kush do të jetë “mbreti”. Do të vazhdojë Simone apo do t’ia rrëmbejë kurorën Antonio. Ky i fundit është më i avantazhuari sepse pas “harakirit” zikaltër ndaj Lacios e sheh veten në krye dhe e ka vetë fatin në dorë.
GATI FESTA- Napoli është gati për festë. Askush nuk e mendon një çmenduri në 90 minutat e fundit kundër Kaljarit. Skuadra e Nikolës e siguroi mbijetesën në javën e parafundit dhe shkon e relaksuar, sigurisht për të respektuar kampionatin. Por supersticiozët napolitanë besojnë fort se ky është viti i tyre. Aq sa Liga e Serisë A ka bërë provat gjeneralë, duke vendosur në mesfushën e “Maradonës” podiumin e festës për të mos i lënë asgjë rastësisë. Në rast se Napoli shpallet kampion, sigurisht që do të marrë kupën përpara tifozëve dhe do të festojë. Mjafton një fitore, ose edhe një barazim nëse Interi nuk fiton në anën tjetër. Është programuar festë me autobusë të hapur dhe monitorë gjigantë në 53 komuna të ndryshme për të parë sfidën e fundit të kampionatit kundër Kaljarit. Janë gati për të festuar titullin e tyre të katërt në histori.
MREKULLI- Në anën tjetër, Interi kërkon që ta mbyllë pa pengje këtë kampionat. Pasi barazoi me Lacion dhe shpërdoroi një shans të artë për të marrë kreun në javën e parafundit, dëshiron minimalisht që të bëjë detyrën me Komon dhe pastaj të shpresojë në një ndalesë të Napolit me Kaljarin. Ka pasur edhe një luftë nervash mes zikaltërve dhe Ligës së Serisë A, pak për vendimet e arbitrave dhe pak për ceremoninë. Si fillim, Marota me të tijtë kishin kërkuar që të mos kishte festë në Komo, por në “San Siro” në rast se do të shpalleshin kampionë. Por në fund kanë ndryshuar mendje dhe i kanë bërë kërkesë që ceremonia e medaljeve të bëhet po sot në mbrëmje. Si për të bërë presion që kampionati do të luhet deri në fund dhe nuk dihet fituesi. Inzagi ka karikuar të tijtë, por sigurisht që një sy dhe një pjesë e mendjes është te sfida e javës së ardhshme, në finalen e Champions-it kundër PSG-së. Deri atëherë, po shpresojnë për një mrekulli sot. Tifozët zikaltër thonë: E vështirë të ndodhë, por nëse ndodh…
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL