Ferrari, siç dihet mirë, nuk e ka fituar kampionatin e pilotëve që nga viti 2007 me Kimi Raikkonen dhe kampionatin e konstruktorëve që nga viti 2008. Vitet po kalojnë dhe kjo po bëhet thatësira më e gjatë e titujve në historinë e “kokëkuqes”.
Nëse nuk vjen asnjë titull këtë vit, për herë të parë do të kalojnë 17 sezone që nga një fitore në kampionatin botëror.
Në intervistën e dhënë për “La Stampa”, drejtori i ekipit Frederic Vasseur nuk bën asnjë premtim në lidhje me një rikthim te fitoret në gara, gjë që mungon për 13 gara (Carlos Sainz, në Meksikë 2024).
“Ne duam të vazhdojmë të ngushtojmë hendekun me McLaren në hapa të vegjël. Nuk e di nëse do të fitojmë brenda një, dy apo tre muajsh. Nuk mund t’u jap asnjë premtim tifozëve përveç se do të japim 200%, duke shtyrë si të çmendur, edhe nëse të tjerët nuk flenë. Por qasja është e mirë“, tha Vasseur.
Vasseur më pas foli edhe për pozicionin e tij në Ferrari: “Sapo mbusha 57 vjeç. Nuk ka sfidë më të madhe dhe më shpërblyese në këtë sport se sa të jesh drejtori i ekipit të “kokëkuqes”. Ndoshta nuk ka pozicion më të ekspozuar se i imi, por më pëlqen të punoj me ekipin dhe pilotët, kemi një frymë të shkëlqyer ekipi“.
Ai mban një profil të ulët edhe në prag të vitit 2026, ku ai nuk premton shumë: “Do të fillojmë nga e para, është emocionuese për të gjithë. Do të jetë një sfidë krejtësisht e re, nuk mbaj mend asgjë të ngjashme në F1. Dhe është e pamundur të kem referenca krahasuar me të tjerët“.