Gara e fundit e Formula 1 zhvilluar në Kanada ishte e vështirë për McLaren, që jo vetëm nuk fitoi por edhe u bë protagoniste në fund me incidentin mes dy pilotëve të saj: Oscar Piastri dhe Lando Norris. Britaniku, në përpjekje për të parakaluar australianin, u përplas me murin dhe la garën 4 xhiro nga fundi.
Vetë Norris kërkoi ndjesë, duke thënë se ai veprim ishte një gabim, por te skuadra britanike kanë nisur të ngrenë zërin karshi pilotëve. Drejtori i garave, Andrea Stella tha: “Lando mori përgjegjësinë për atë që ndodhi dhe më kërkoi falje”.
“Ishte një llogaritje e gabuar dhe një gjykim i gabuar që nuk duhej të ndodhte, por në të njëjtën kohë është pjesë e garës. Ditët në vijim do të duhet të thellohemi më thellë në atë që është e nevojshme për të ruajtur kufijtë e duhur mes pilotëve”, tha Stella.
“Do të kemi biseda dhe ato mund të jenë të vështira. Por ato do të ndodhin kur të gjithë të jemi të qetë. Të jesh i lirë në garë është një vlerë që ne duam të përpiqemi ta ushtrojmë dhe ta respektojmë sa më shumë që të jetë e mundur”, shtoi Stella.
Më tej, ai tha: “Ekipi dëshiron të ruajë barazinë barazinë midis pilotëve në mënyrë që t’i japë Lando dhe Oscar mundësinë për të konkurruar dhe për të qenë në pozicionin që meritojnë në fund të sezonit bazuar në performancat e tyre”.
“Ky episod nuk e ndryshon qasjen tonë. Kur themi se nuk duhet të ketë kontakt mes dy makinave McLaren duhet të kemi kufijtë për të siguruar që nuk ka kontakt. Prania e DRS nuk u vlerësua si duhet nga piloti, ndaj duhet të vlerësojmë më mirë distancat”, tha Stella.