Një hap prapa. Pasi kishte arritur për dy fundjava garash podiumin me Charles Leclerce, Çmimi i Madh i Kanadasë në Formula 1 ishte anonim për Ferrarin, që shënoi një vend të pestë më pilotin monegask dhe një vend të gjashtë me Luis Hamilton.
Dyshja e Maranelos, e ndihmuar edhe nga aksidenti i Lando Norrisit në fund të garës, megjithatë mund t’i gëzohet vetëm ngjitjes në vendin e tretë në klasifikimin e konstruktorëve, 16 pikë pas Mercedesit dhe plot 191 nga McLaren.
“Është e qartë se kemi nevojë për përditësime tani”, tha Hamilton në fund të garës në Montreal, teksa më tej shtatë herë kampioni i botës shtoi: “Nuk e di pse nuk po i sjellim ato, por mendoj, dhe shpresoj, se një do të mbërrijë së afërmi”.
Fjalë që pjesërisht ndryshojnë nga ato të drejtorit të ekipit Fred Vaser, i cili, pikërisht në fund të garës tha se nuk i konsideronte përditësimet aq thelbësore për zgjidhjen e problemeve të Ferrarit: “Ato do të mbërrijnë së shpejti, por nuk mendoj se risitë teknike janë problemi kryesor, sepse kur bën rekordin në sektorin e parë në kualifikuese, nuk është se makina nuk funksionon ose se duhet të sjellësh përditësime”, theksoi drejtori i ekipit.
Sipas Vaser, çelësi është ndërtimi i fundjavës: “Gjëja më e rëndësishme është të përqendrohemi te vetja për të bërë një punë të pastër gjatë gjithë fundjavës dhe kjo nuk është ajo që bëmë këtë herë”, shpjegoi drejtuesi francez.
Hamilton, i cili u ngadalësua gjatë garës për shkak të një problemi me makinën të shkaktuar nga goditja e një urithi në pistë, foli për situatën aktuale brenda ekipit: “Nuk mund të them shumë, por ka shumë gjëra që po ndodhin në sfond.
Ajo që është e qartë është se nuk kemi një makinë për të luftuar për kampionatin dhe duhet të sigurohemi që vitin tjetër të kemi një makinë të shkëlqyer. Pra, nuk duhet të humbasim shumë kohë duke u shqetësuar ose duke u përqendruar në këtë”.