Franck Kessie raportohet se është i interesuar të rikthehet në Serie A, mes zërave që e lidhin ish-mesfushorin e Milanit me Romën e Gian Piero Gasperinit.
Sipas asaj që është raportuar nga La Gazzetta dello Sport, 28-vjeçari është gati të largohet nga klubi saudit Al-Ahli dhe dëshiron të ribashkohet me ish-trajnerin e tij Gasperini, këtë herë me ngjyrat verdhekuqe të Romës.
Gasperini dhe Kessie kanë punuar së bashku te Atalanta dhe raportimet sugjerojnë se mesfushori nga Bregu i Fildishtë është i gatshëm të pranojë një ulje page për t’u rikthyer në elitën e futbollit italian.
Aktualisht, Kessie përfiton një pagë prej 12 milionë euro në sezon, por është i gatshëm ta reduktojë këtë shumë për të realizuar kalimin te Roma.
Raportet nga Italia theksojnë se pengesa kryesore për marrëveshjen nuk është tarifa e transferimit në vetvete, por nevoja e klubit roman për të balancuar financat në përputhje me rregullat e ‘Fair Play financiar’.
Roma do të duhet së pari të shesë disa lojtarë në mënyrë që të financojë shumën prej 14 milionë eurosh që Al-Ahli kërkon për Kessie.
Për këtë arsye, nuk pritet të ketë shumë zhvillime deri në fillim të korrikut, kur Roma do të ketë mundësinë të realizojë disa shitje.