Pagat e larta të futbollistëve por edhe obligimet tjera financiare kanë rritur tej mase shpenzimet e klubeve duke prekur milionat brenda një edicioni garues. Në futbollin kosovar, klubet luftojnë për titullin kampion, Kupën e Kosovës por edhe daljen në garat evropiane, objektiva këto që edhe nëse arrihen nuk sjellin benefite të mëdha financiare.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka vënë në dukje se shpërblimet që Federata e Futbollit të Kosovës i ndan për klubet nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e tyre, sidomos kur ato përfaqësojnë vendin në garat evropiane.
Batatina: Shpërblimet që FFK i jep për klubet nuk janë të mjaftueshme
“Federata e Futbollit e ndan një pjesë për skuadrën që del kampion është një kosto afër 50 mijë euro, për pozitën e dytë 30 mijë euro, pozita e tretë 20 mijë. Por unë mendoj që për nivelin e garave në Evropë dhe nivelin e rritjes së buxhetit të klubeve dhe skuadrave për shpenzimet të cilat i kanë unë, mendoj që Ministria e Sportit duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Përveç Ligjit të Sponzorizmit që e ka ndihmuar shumë futbollin e Kosovës, që është një ligj i jashtëzakonshëm por mendoj që duhet të ndahet një buxhet për shkak se këto skuadra e përfaqësojnë Kosovën dhe këto skuadra janë ambasadori më i mirë i Kosovës”, thotë Batatina.
Ish-presidenti i klubit të futbollit ‘Prishtina’, Remzi Ejupi, ka folur për periudhën para pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, duke kujtuar se shpërblimet për klubet ishin simbolike dhe se ende sot mbështetja nga FFK është minimale.
Ejupi: Deri në vitin 2017 klubet për një trofe janë shpërblyer me 50 euro
“Të gjitha shpërblimet që i marrin klubet, asgjë nuk marrin nga federata, por e marrin një shpërblim modest. Deri vonë, derisa nuk kemi qenë të pranuar (në FIFA dhe UEFA) gjithë vitin kemi harxhuar miliona euro klubet, e kemi marrë në fund një 50 euro për ta mbajtur futbollin gjallë duke shpresuar se një ditë do të vijë momenti i mirë. Por ne e kemi mbajtur, e kemi sjellë deri këtu dhe në fund është duke u penalizuar futbolli kosovar me këtë udhëheqësi që është (Federata e Futbollit të Kosovës)…Deri në vitin 2017, derisa nuk jemi pranuar, aq i kemi marrë, një shpërblim prej 50 euro, tani i marrin nga FIFA dhe UEFA, shumë pak marrin prej federatës”, bëri të ditur Ejupi.
Madje, Batatina ka bërë thirrje që Ministria e Sportit dhe drejtoritë komunale të ndajnë buxhete konkrete për klubet, duke theksuar rrezikun e shuarjes së tyre për shkak të mungesës së përkrahjes financiare.
Batatina: MKRS dhe drejtoritë komunale të ndajnë buxhet për t’i mbështetur klubet
“Kemi shumë pronarë të cilët pas zhgënjimit të tyre për një apo dy vite, klubet e tyre kanë filluar të shkatërrohen, të bien në një kategori më poshtë. Shumë donatorë, kam fati që nga viti 2013 të jem në futboll dhe mund të them që asnjë prej njerëzve nga 2013-ta, sot nuk janë në elitën e futbollit të Kosovës duke e ditur se të gjithë ose kanë rënë një rang më poshtë ose janë larguar nga futbollit dhe nuk janë duke i mbajtur klubet. Ata janë zhgënjyer për mos-mbështetjen financiare edhe nga ministria edhe nga kuvendet komunale të cilat duhet të ndajnë një buxhet dhe ta kenë më lehtë pronarët e klubeve t’i mbajnë klubet dhe ta mbajnë këtë rini e cila dita ditës po ikën nga vendi ynë”, theksoi Batatina.
KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga MKRS, nëse parashohin të ofrojnë mbështetje shtesë për klubet e futbollit, por nuk ka marrë përgjigje.
Si Batatina, ashtu edhe Ejupi kanë ngritur shqetësime serioze për mungesën e mbështetjes financiare ndaj klubeve kosovare, duke theksuar se shpërblimet e Federatës së Futbollit të Kosovës janë të pamjaftueshme për të përballuar kostot e larta, sidomos kur përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare.
Ata kërkojnë përfshirje më të madhe nga Ministria e Sportit dhe komunat për të siguruar mbijetesën e klubeve dhe të ardhmen e futbollit në vend.