Basketbollistët e grupmoshës U20 të Kosovës e kanë humbur ndeshjen për plasman prej pozitës së pestë deri në të tetën, në Kampionatin Evropian të Divizionit B.
Të shtunën gjatë ditës në Jerevan të Armenisë, Kosova pësoi humbje nga të rinjtë e Britanisë së Madhe me rezultatin 71:61.
Shkëputjen e madhe në rezultat, britanikët e bënë në pjesën e parë.
Në dhjetë minutat e para të ndeshjes, Britania e Madhe i realizoi 22 pikë, ndërsa e ndali Kosovën në vetëm shtatë pikë të realizuara.
Çereku i dytë u mbyll 19:15 në të mirë të Britanisë së Madhe, që në pushim shkoi me 19 pikë epërsi, 41:22.
Dy periudhat e fundit i fitoi Kosova, por pa arritur që ta shkrijë disavantazhin e thellë, ndonëse u afrua shumë në rezultat.
Erolt Rrahmani i kishte statistikat më të mira te Kosova U20. Në 35 minuta, ai i realizoi 12 pikë, katër kërcime e katër topa të vjedhur. Rron Dahsyla e mbylli ndeshjen me 11 pikë, katër kërcime e tri asistime, kurse Dren Kastrati pati nëntë pikë e dy kërcime.
Kombëtarja U20 e Kosovës në basketboll pati paraqitje shumë të mirë në fazën grupore. Në Grupin D të Kampionatit Evropian të Divizionit B, Kosova U20 pati tri fitore e një disfatë në grup me Turqinë, Hungarinë, Suedinë dhe Shqipërinë. Fitoi ndaj Suedisë, Shqipërisë e Hungarisë, por humbi në ndeshjen e fundit të grupit nga Turqia. Nga pozita e dytë avancoi në çerekfinale, ku u mposht nga Zvicra e kësaj grupmoshe të premten mbrëma.
Tani do të luajë për vend të shtatë ndaj Irlandës.
Ky ballafaqim zhvillohet të dielën nga ora 11:30.